Foto: Komuna e Istogut. 26.06.2019

Nisin punimet për ndërtimin e një çerdheje dhe një shkolle në Istog

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, së bashku me ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi kanë vënë gurin e themelit të çerdhes së re të fëmijëve në Istog si dhe të shkollës fillore “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe” në Uçë.

Sipas një njoftimi për media, Rugova falënderoi Bytyqin për përkrahjen e ofruar.

“Këto dy projekte janë me një afat më të gjatë, mirëpo është e rëndësishme të punohet mirë dhe sigurt. Po ashtu i rëndësishëm është edhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e shkollës së re Fan S. Noli në Llukafc të Begut, projekt ky i përbashkët në mes të komunës së Istogut dhe Ministrisë”, citohet të ketë thënë Rugova.

Kurse, ministri Bytyqi tha se vetëm me një bashkëpunim të ngushtë me nivelin lokal mund të arrihen synimet për të pasur një standard të lartë të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve.

“Këto investime po bëhet në kuadër të angazhimeve të mëdha që po bën MASHT për të krijuar kushte dhe mundësi për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm. Vet fakti se kjo shkollë mbanë emrin e tre dëshmorëve, tregon më së miri që populli ynë gjithmonë e ka dhënë edhe jetën për arsimin dhe gjuhën shqipe”, citohet të ketë thënë Bytyqi.

Tutje në njoftim thuhet se projekti i ndërtimit të çerdhes së re të fëmijëve në Istog kap vlerën 669 mijë e 639 euro si dhe ndërtimi i shkollës “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe” në Uçë 712 mijë e 58 euro.

Po ashtu gjatë këtij takimi që u realizua sot në mes të kryetarit Haki Rugova dhe ministrit Shyqiri Bytyqi u bë nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e shkollës fillore “Fan. S. Noli”  në Llukafc të Begut.