Nisin përgatitjet për Edicionin e 38-të të Seminarit të Shqipes

Edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbahet nga 19 – 30 gusht 2019.

Drejtori e Seminarit tashmë ka nisur përgatitjet për edicionin e sivjetëm, duke caktuar edhe temat bosht të sesioneve të seminarit, dhe u ka bërë thirrje studiuesve pjesëmarrës që deri më 1 qershor të këtij viti të dërgojnë në drejtorinë e seminarit abstraktet e ligjëratave të tyre.

Përmes një njoftimi publik, drejtoria e Seminarit, bën të ditur se përveç programit bazë të seminarit, siç janë kurset e gjuhës shqipe për seminaristët, ligjëratat, referimet dhe tryezat, do të ketë edhe program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me pasuritë natyrore dhe veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.

Temë bosht e sesionit të Gjuhës, në seminarin e 38-të të Shqipes, sipas njoftimit të drejtorisë së Seminarit, do të jetë: Struktura e shqipes aktuale. Nga letërsia, temë bosht është caktuar: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe, kurse nga kulturologjia do të diskutohet me temën: Rrjetet sociale, politika dhe etika.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) në Universitetin e Prishtinës.

Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione, ndërsa në vitet 1995 e 1996, sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.