Niset peticion për ndalimin e obligimit për homologim të automjeteve

Pas debatit në parlamentin e Kosovës për homologimin e automjeteve, ekonomisti Hekuran Murati ka nisur një peticion online, ku po kërkohet që t’i jepet fund obligimit për homologim.

Në këtë peticion thuhet se prishja e monopolit nuk mjafton, por është duke u kërkuar që parlamenti të ndryshojë Ligjin për Automjete.

“Nuk ka nevojë që 99% e qytetarëve të paguajnë kot, për shkak se 1%-shi tjetër importon vetura të pastandardizuara.  Prandaj rruga e duhur është që obligimi ligjor për homologim të hiqet në tërësi. Për këtë nevojitet që Kuvendi i Kosovës të ndryshojë Ligjin për Automjete”, thuhet tutje.

Deri më tani këtë peticion e kanë nënshkruar 1267 persona dhe duhen 1500.

Në një seancë të jashtëzakonshme dje Kuvendi i Kosovës diskutoi mes akuzash por pa rezultat konkret mbi monopolin në homologim të veturave në Kosovë.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktik mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Trashja e monopolit në homologim