Nis puna në Teatrin ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Teatri i Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” ka rifilluar punën pas 4 muajsh, pasi ishte ndërprerë për shkak të mos pagesës së pagave dhe mos vazhdimit me kohë të kontratave të aktorëve të këtij teatri nga ana e Komunës së Prizrenit.

Ka qenë vetë drejtori i këtij institucion Fetah Paçarizi, ai i cili përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se “Bekim Fehmiu” ka rifilluar punën, duke nisur përgatitjet për premierën e re të teatrit.

“Sapo filloi projekti artistik teatror me regjisorin austriak Andreas Pronegg. Teksti  është komedi e autorit Georg Büchner dhe titullohet ‘Leonse dhe Lena”, ka shkruar Paçarizi, duke shtuar se premiera e kësaj komedie pritet të jepet në pjesën e dytë të muajit qershor.

Rikthimi i normalitetit në teatrin e Prizrenit, ka pohuar  Paçarizi në një prononcim për ‘Koallxo.com vije pasi aktorët kanë nënshkruar kontratat dhe alokimi i mjeteve do të bëhet në fund të muajit apo ditët e para të muajit maj.

“Janë përgatitur të gjitha procedurat dhe veç po presim që të kryhen dhe besoj që në fund të prillit apo në 5 ditëshin e parë të majit të alokohen mjetet dhe të paguhen pagat retroaktivisht. Aktorët i kanë nënshkruar kontratat dhe jam i bindur që me punën intensive që po bëjmë do arrijmë që ta  vazhdojmë dinamikën si e ka pasur teatri ynë”, ka pohuar ai, për Kallxo.com.

Ndërsa ka thënë se gjatë muajit maj do të ketë repertor me repriza të shfaqjeve të teatrit “Bekim Fehmiu” dhe shfaqje mysafire që do të shfaqen në këtë teatër.