Mbledhja e nënshkrimeve për peticionin për krijimin e një buxheti shtetëror për bizneset 'Startup' - Foto: KALLXO.com
Nis Peticioni për Krijimin e Buxhetit për Biznese ‘Startup’
Organizata joqeveritare Skenderaj Inovation Center e ka filluar sot mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin që kërkon ligj të veçantë që do t’ia ndante një pjesë të buxhetit shtetëror bizneseve të reja me ide inovative.
Peticioni ka filluar në afërsi të Mensës së Studentëve, në Prishtinë.
Nismëtari i peticionit dhe drejtuesi i OJQ-së, Bekim Ibishi, tha se bizneset startup, duhet të financohen me borxh pa interes, i cili do të kthehej përsëri në buxhetin shtetëror.
“Nëse e bëjmë një ligj që mundëson borxh pa interes, njerëzit që e kthejnë atë pas një kohe e ruajnë atë investim dhe do të punojnë për atë investim sepse e dinë që e kanë një obligim të cilin e dinë se duhet ta kthejnë”, shpjegoi ai.
Po ashtu, Ibishi tha për KALLXO.com se shuma që duhet të ndahet për këtë buxhet do të duhej të ishte 30% e të gjitha tatimeve që mblidhen nga bizneset.
Ndërkaq, ai tregoi se institucionet që hipotetikisht do t’i vlerësonin idetë për biznese të reja, do të vlerësoheshin përmes planeve të biznesit që i ofrojnë ata.
“Edhe vetë ne si qendër e inovacionit do t’i përgatisnim planet e biznesit. Jemi hapur me qëllim që ta zvogëlojmë papunësinë… Ne do t’i përgatisnim ata se si ta bëjnë një plan biznesi që është sa më kredibil”, tha Ibishi.
Ai shtoi për KALLXO.com se peticioni do të vazhdojë deri në mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve dhe më pas do t’i dërgohet Kuvendit.