Kryeministri Isa Mustafa vë gurin e themelit të Klinikës së re Emergjente - Foto: Zyra e Kryeministrit

Nis Ndërtimi i Emergjencës 8-Milionëshe

I shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj, kryeministri Isa Mustafa ka vendosur sot gurin e themelit të objektit të ri të Klinikës Emergjente në Prishtinë.

Sipas të parit të Qeverisë, Klinika do të jetë e kapaciteteve shumë të mëdha dhe është e ideuar në mënyrën më moderne.

“Është investim i madh, mbi 8 milionë euro. Planifikohet të përfundojë brenda tri viteve”, theksoi kryeministri Mustafa, i cili shfaqi shpresën se Emergjenca e re do t’u ofrojë qytetarëve të Kosovës shërbime cilësore dhe shërbime shëndetësore të nivelit evropian.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se shërbimet e kësaj klinike do të plotësojnë deficitin infrastrukturor që ka ShSKUK.

“Zhvillimi i Emergjencës dhe shërbimeve emergjente në Kosovë është një domosdoshmëri dhe mu për këtë së bashku edhe me Komisionin parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po punojmë në finalizimin e Ligjit për Emergjencë, i cili ka pësuar disa ndryshime thelbësore dhe do të fokusojë zhvillimin e shërbimeve emergjente paraspitalore”, tha ministri Rrahmani.

Kurse, Curr Gjocaj shprehu bindjen se Klinika e re do të përmirësojë shërbimet për të gjithë qytetarët.

“Ndërtimi i objektit të ri të shërbimit emergjent me sipërfaqe dhe hapësira moderne do të krijojë lehtësi për profesionistët shëndetësorë që ofrojnë shërbime shëndetësore, por në të njëjtën kohë edhe për pacientët që do të kenë mundësi të marrin shërbime më kualitative”, tha Gjocaj.

Sipas drejtorit të ShSKUK-së, përveç ndërtimit të objektit të ri parashihen edhe investime në aparaturë moderne mjekësore dhe trajnim i stafit.

Klinika e re Emergjente do të ndërtohet në oborrin e QKUK-së, në hapësirën mes të Klinikës së Onkologjisë dhe asaj të Ortopedisë.