Nis me problem zbatimi i rregullores së re për gradimet dhe pagat e punëtorëve të institucioneve të Kulturës

Rritja e pagave për punëtorët e institucioneve të Kulturës, sipas Rregullores për gradimin dhe pagat e krijueseve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionale të trashëgimisë kulturore, nuk ka kaluar pa probleme.

Jo të gjithë punëtorët e kategorive për të cilët parashihet rritje e pagave nga 1 nëntor 2018, kanë mbetur të kënaqur, bile pat ankesa se kanë marrë pagat e tyre, me rritje, ndërsa nuk kanë munguar edhe ankesat se rregullorja e re diskriminon shumë prej punëtorëve të institucioneve kulturore.

Disa prej punëtorëve të Galerisë kombëtare të Kosovës janë ankuar se ata nuk i kanë marrë rrogat me rritje siç parashihet ne rregulloren e re.

Megjithatë pavarësisht probleme, Ministria e Kulturës ka mbajtur një takim gjatë ditës së sotme, 1 nëntor 2018, më përfaqësues sindikalit dhe të institucioneve kulturore ku edhe simbolikisht janë dorëzuar kontrata e reja të punëtorëve të institucioneve kulturore, sipas Rregullores për gradimin dhe pagat e krijueseve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionale të trashëgimisë kulturore.

Përparësitë e rregullores

Rregullorja e re për pagra e punëtorëve të institucioneve kulturore që nuk gëzojnë statusin e shëruesit civil, nga ky muaj janë rritur deri në 50 %, shumë kjo e kërkuar nga sindikalistët gjatë shtatorit të këtij viti.

Duke dorëzuar simbolikisht kontratat e reja, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka thënë ndër të tjerash, se nga 1 nëntori 2018  edhe zyrtarisht krijuesit dhe performuesit e kulturës si dhe punonjësit profesional të trashëgimisë kulturore do të gradohen dhe do të marrin pagat e tyre me rritje.

“Me miratimin e Rregullores, kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe meritore, për çështjet e sistematizimit të pagave, gradimit dhe kategorizimit të krijueseve, performuesëve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore”, ka potencuar ministri Gashi.

Ndërkaq, në emër të përfaqësueseve të institucioneve kulturore, vartëse të MKRS, Semira Latifi, ka pohuar se punëtorët e institucioneve kulturore ndihen të lehtësuar zbatimin e kësaj rregulloreje.

“Mund të dukemi naiv, e ndoshta për dike edhe entuziast, por ne duam që kjo ditë të shënohet si një shembull dhe shtytje edhe për zyrtar të tjerë shtetëror”, ka thënë ajo.

Pakënaqësitë me zbatimin e rregullores

Zbatimi i rregullores së re për pagat e punëtorëve të institucioneve të kulturës nuk ka lënë pa u kritikuar nga përfaqësues të institucioneve të kulturës.
Ahmet Brahimaj, drejtor i BKK-së ka thënë për Kallxo.com, se nuk është pajtuar me atë çfarë përmban rregullorja e re.

“Jam i bindur edhe kjo rregullore nuk do të zgjidhë problemet me të cilat po ballafaqohen institucionet e kulturës, pasi nuk do t’i trajtojnë financiarisht sipas meritës dhe kontributit punëtorët e institucioneve”, ka pohuar drejtori Brahimaj.

Të pa kënaqur me rritjen e pagave sipas rregullores së re kanë mbetur edhe punëtorët e Galerisë Kombëtare të Kosovës të cilët i takojnë kategorisë së përformuesve.

Naim Spahiu, përfaqësues i punëtorëve të GKK ka thënë në një prononcim për Kallxo.com, tha se kanë shfaqur pakënaqësinë në MKRS lidhur me pagat, pasi siç ka thënë ai, me rregulloren e re disa prej punëtorët të kësaj galeria jo që u rriten, por u ulen pagat.

Ai ka thënë se e punëtorët e GKK nuk ka qenë të informuar asnjë herë lidhur me procesin e draftimit të rregullores, që nga fillimi i draftimit të saj, dhe se përveç se janë punëtorë të kategorisë së performuesve.

“Sot, ne kemi dal para një akti të kryer. Ka nga punëtorët e GKK që iu ka zbritur rroga, duke na llogaritur rrogën bazën, që ne nuk e dinë për atë bazë, një shumë qesharake prej 250 euro, nga rregullorja e viti 2011, dhe ne si staf i galerisë pësojmë nga ajo rregullore”, ka thënë Spahiu.

Sipas, Spahiut, rritja me rregulloren e re, nuk ka marr për bazë rrogën e deritashme që ata kanë marrë, por duke e llogaritur rrogën bazë prej 250, gjë që sipas rregullores së re rrogat e performuesve të GKK-së, përjashto njërin prej tyre, janë më të vogla se 500 euro.

Rritja sipas rregullores

Rregullorja NR.XXX/2018 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, nuk parasheh rritje të njëjte të rrogës për gjithë punëtorët e institucioneve të Kulturës.

Më së shumti nga kjo rregullore do të përfitojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, rroga e të cilëve do të jenë bukur më të larta se sa të institucioneve tjera.

Me rregulloren e re pritet që pjesa dërmuese e punëtorëve të institucioneve kulturore të kategorisë së dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, do të kenë rroga dukshëm më të mëdha se sa të drejtorëve të institucioneve të kulturës.