Nxënës të shkollës fillore "Abaz Ajeti" të Gjilanit - Foto: Facebook

Nis Kontrollimi Sistematik i Nxënësve Gjilanas

Në shkollat fillore të komunës së Gjilanit ka nisur kontrollimi sistematik shëndetësor i nxënësve, projekt që po realizohet nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nagip Rexhepi”, i përkrahur nga Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KShMS).

Kryesuesi i KShMS-së, Jashar Jashari, ka thënë se kontrolli sistematik në shkolla është një projekt shumë i rëndësishëm për shëndetin e nxënësve si dhe për planifikimin e politikave shëndetësore.

Sipas një njoftimi të Komunës së Gjilanit, Jashari është shprehur i bindur se efektet e projektit janë pozitive, “meqë nga viti në vit ka ulje të shkallës të disa sëmundjeve”.

Jashari e ka mirëpritur idenë për themelimin e një baze të të dhënave me gjetjet në terren, sepse, sipas tij, do të lehtësonte procedurat e përcjelljes së një sëmundje ose anomalie tjetër te këta pacientë si dhe gjendjes së tyre gjatë trajtimit të mëtejmë.

Hollësi tjera për kontrollin sistematik të nxënësve ka dhënë Fejzullah Berisha, drejtor i QKMF “Nagip Rexhepi”, i cili ka thënë se projekti ka filluar në shkollën e qytetit “Musa Zajmi” dhe do të vazhdojë gjatë muajve të ardhshëm në të gjitha shkollat e tjera të qytetit dhe fshatrave.

Berisha ka theksuar se përgatitjet janë bërë me kohë dhe se janë siguruar mjetet e nevojshme, duke nënvizuar edhe bashkëpunimin e mirë me shkollat dhe prindërit.

“Objektivi i këtij projekti është identifikimi i sëmundjeve dhe anomalive eventuale, duke i udhëzuar rastet e identifikuara për trajtim te mëtutjeshëm si dhe përgatitja e rekomandimeve për institucionet shëndetësore, të cilat kanë për obligim përmirësimin e politikave shëndetësore”, citohet të ketë thënë Fejzullah Berisha.

Ndërsa, Nexhat Halili, anëtar i KShMS-së, njëherësh mjek i ekipit për kontrollin sistematik të nxënësve, ka përmendur pedikulozën (shumimin e morrave), shifrat e të cilës pas kontrollit të kaluar kanë pasur jehonë në publik, por që sipas tij nuk kanë qenë në përmasa alarmuese. Ai theksoi se pedikuloza ka pasur rënie të madhe nga viti në vit.

Për të përmirësuar edhe më shumë gjendjen, Selvete Shurdhani ka sugjeruar organizimin e këshillimeve dhe ligjëratave me prindër, ku do të diskutohej për higjienën-rëndësinë e saj në shëndetin e fëmijëve.

Kurse, Agron Leka ka thënë se kontrollimi sistematik i nxënësve i ka anët e veta pozitive, sepse mundëson zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe anomalive të tjera te fëmijët dhe krijon mundësi për trajtimin me kohë të të gjitha çrregullimeve të gjetura shëndetësore. Po ashtu, sipas tij, krijohet mundësia për krijimin e dosjes së pacientit, e cila e lehtëson punën e mjekëve në fazat tjera të trajtimit.

KALLXO.com raportoi një javë më parë për projektin për ofrimin e shërbimeve stomatologjike falas për të gjithë nxënësit e komunës së Deçanit.

http://kallxo.com/sherbime-stomatologjike-falas-per-5000-nxenesit-decanas/

Redaktoi: Naser Sertolli