Ilustrim

Nis gjykimi për personin që helmoi kolegët

Në qytetin perëndimor Bielefeld, nisi një gjykim për tentim-vrasje të një gjermani 57-vjeçar, i cili kishte helmuar sanduiçët e kolegëve të tij për disa vjet.

Burri, emri i të cilit nuk u publikua për shkak të rregullave të privatësisë gjermane, akuzohet se ka helmuar ushqimin e kolegëve me acetat plumbi dhe merkuri, nga viti 2015 deri në 2018, raporton AP, duke iu referuar medias gjermane.

Ai është akuzuar për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe është arrestuar në maj, pasi në xhirimin e video-kamerës së sigurisë u verifikua se kishte vendosur një pluhur të dyshimtë në sanduiçin e kolegëve të tij.

Prokurorët thonë se ai ishte i motivuar për t’i parë ata se si po rrënoheshin fizikisht. Një viktimë është ende në koma me dëmtime të trurit, dhe tjetra ka dëme të rënda në veshka.