Përfaqësuesja e Kosovës - Foto: FFK
Nis Ëndrra Kosovare
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do ta zhvillojë sonte ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror që do të zhvillohet në vitin 2018 në Rusi.
Kombëtarja kosovare, e cila garon në kuadër të Grupit I, sonte zhvillon lojën si mysafire e Finlandës.
Në këtë grup janë edhe kombëtaret e Kroacisë, Turqisë, Islandës dhe Ukrainës.
Ndeshjen e radhës, kombëtarja kosovare e zhvillon si nikoqir në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kundërshtare do ta ketë kombëtaren kroate.
Ndeshja që do të zhvillohet sonte është e para për ndonjë kualifikim ndërkombëtar që nga pranimi më 3 maj 2016 i Federatës së Futbollit të Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në FIFA dhjetë ditë më vonë.
Deri më tani, përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar vetëm lojëra miqësore. Ndonjë si anëtare me të drejta të plota të organizatave ndërkombëtare të futbollit, ndonjë me leje të FIFA-s (edhe pa qenë pjesë e saj), si dhe lojëra miqësore jozyrtare.
http://kallxo.com/kosova-pranohet-ne-fifa/
Për djelmoshat e drejtuar nga trajneri Albert Bunjaki si dhe për kombëtaren e Kosovës kjo do të jetë një ditë historike, për shkak se sonte fillon realizimi i ëndrrës së shumë gjeneratave për të qenë të barabartë në fushë me të gjitha kombëtaret e tjera.
http://kallxo.com/rrugetimi-vokrrit-deri-te-vota-ne-uefa/