Nis Bllokimi i ‘Balenës Blu’ në Rrjetin e Kosovës

Aplikacioni i lojës “Balena Blu” ka nisur të bllokohet me nismën e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me operatorët që ofrojnë shërbime interneti në Kosovë.

“Pas paraqitjes së rasteve të para të shkarkimit të lojës morbide ‘Balena e Kaltër’Agjencia gjatë ditëve të fundit ka ndërmarrë veprime koordinuese me institucionet përgjegjëse, e në veçanti me kompanitë private që ofrojnë internet brenda vendit, me qëllim të bllokimit të qasjes nga shfrytëzuesit e rrjetit që ofrohet nga katër operatorët kryesorë, si: Vala, Ipko, Kujtesa, Artmotion”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Komunikim e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia në komunikatë njofton se asaj kanë nisur t’i vijnë që nga mëngjesi i ditës së sotme informacione nga operatorët e internetit për bllokimin e qasjes në rrjetin e Kosovës të faqeve nga të cilat ka mundur të shkarkohej kjo lojë.

Në komunikatë, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave personale njofton edhe për rrezikun nga kjo lojë, duke shtuar se “Balena e Kaltër” krijon varësi te ata që e luajnë, ndërsa “administratorët e saj detyrojnë përdoruesit të kryejnë veprime të frikshme”.

Dje KALLXO.com shkroi për rastin e parë të hapur në Policinë e Kosovës në lidhje me “Balenën Blu”,viktimë e së cilës ishte një 11 vjeçe, ndërsa policia më pas njoftoi se ka hapur gjashtë raste të tilla.

http://kallxo.com/balena-blu-hapet-rasti-pare-ne-prishtine/

http://kallxo.com/policia-konfirmon-gjashte-raste-te-balenes-blu/