Nikolla Gruevski ishte në Shqipëri, u largua me veturën e Ambasadës hungareze

Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje rreth qëndrimit të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në territorin shqiptar në kohën kur ai po kërkohej nga autoritetet e Shkupit për t’u dërguar në burg për ta vuajtur dënimin.

Në një njoftim, Departamenti  i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, thotë se Nikolla Gruevski më 11 nëntor 2018, rreth orës ora 19:10, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi.

Policia shqiptare sqaron se Gruevski ka dalë nga territori i Shqipërisë si pasagjer në automjetin  me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës hungareze në Tiranë.

“Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikola Gruevski nuk ka patur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim”, thuhet më tej në njoftim.

“Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës  19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, thuhet po ashtu në njoftimin e Policisë së Shtetit.