Ngrohja Qendrore në Hapësirën Mes Dy Klasave

Në këtë shkollë fillore pajisjet për ngrohje qendrore janë vendosur mes dy klasave të saj.

Këshilltari i AAK-së Galdim Krasniqi në emër të grupit të këshilltarëve të kësaj partie kërkoi nga Drejtoria e Arsimit në Pejë që ngrohja qendrore të largohet nga vendi ku është vendosur.

“Ne si grup parlamentar kemi menduar që urgjentisht të futet në rend të ditës edhe një kërkesë e jona e cila do të rekomandojë Drejtorinë e Arsimit që të marrë një vendim urgjent dhe të hiqet nga funksioni ngrohja qendrore në shkollën “Naum Veqilharxhi” në Kliçinë me arsye që të mos përsëritet rasti i Dardanisë,” tha Krasniqi.

Në Shkollën Fillore “Dardania” të Pejës në nëntor të vitit të kaluar nga shpërthimi i ngrohjes qendrore qenë lënduar pesë nxënës, por fatmirësisht atyre nuk u ishte rrezikuar jeta.

http://kallxo.com/lendohen-5-nxenes-nga-plasja-e-nxehjes-se-shkolles-ne-peje/

Asamblisti Krasniqi tha se ngrohja qendrore në Shkollën “Naum Veqilharxhi” është vendosur në hapësirën mes dy klasave që më parë përdorej për bibliotekë.

“Kjo  ngrohje është ndërtuar në një bibliotekë e cila ndodhet mes dy klasave të mësimit ku janë 50 nxënës aty. Dhe një ngjarje e tillë mund të shkaktojë pasoja mjaft të mëdha tek ata fëmijë,” tha Krasniqi në fillim të seancës së Kuvendit Komunal.

Drejtori i Arsimit në Pejë Besim Avdimetaj tha se është i hapur për diskutime rreth vendit të vendosjes së kësaj ngrohjeje.

“Sipas ekspertëve që kanë ndërtuar janë edhe dëshmitë që janë ndërtuar me sigurinë me të lartë  të mundshme. Jemi këtu bashkërisht na dhe ju që të shohim ta formojmë një komision ekstra dhe të shkojmë në shkollë të vlerësojmë. Ndoshta nuk është bash vendi aty, apo çështje tjera formale, teknike që mund të parashihen dhe të rregullohen,” tha Avdimetaj.

Këshilltarët e LDK-së thanë se nuk duhet të krijohet gjendje alarmante pa argumente.

“Ne nuk kemi asnjë informacion, se Galdimi të kish pru ndonjë dokument, ndonjë ekspertizë të dikujt që është profesional që gjendja është alarmante aty, prandaj pa pasur ndonjë dokument bazë nuk mund të bazohemi vetëm në fjalët e tij të marrim një vendim sot,“ tha Bekim Morina, shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së.

Edhe asamblisti Naser Gega nga LDK-ja tha se mungojnë informatat se ngrohja në “Naum Veqilharxhi” paraqet rrezik.

“Mund të jetë rrezik, mirëpo mungojnë informatat teknike për çështjen që po diskutohet sot,” theksoi Gega.

Drejtori i Arsimit në Pejë Besim Avdimetaj tha se punëtorët e ngrohjes qendrore janë duke u trajnuar.

“Sot është dita e tretë e trajnimi të personave që kanë për t’u marrë ekskluzivisht me nxehjet nëpër shkolla. Kanë për t’u specializuar dhe trajnuar,“ tha Drejtori i Arsimit.

Këshilltarin e AKR-së Burim Basha më shumë e shqetësoi heqja e bibliotekës, sesa vendosja e ngrohjes në vendin e saj.

“Nxehja nuk është diçka që eksplodon gjithmonë. Nëse ekzekutohet me norma teknike ajo nuk është e rrezikshme. Mirëpo parimisht jam kundër që të hiqet biblioteka dhe të vendosën pajisjet për nxehje,“ tha Basha.

Në fund të mbledhjes u vendos që në seancën tjetër të Kuvendit Komunal të Pejës, Drejtori i Arsimit të sjellë një raport për punën e kryer në nxehjen e asaj shkolle dhe për sigurinë e nxënësve.

Në Pejë pushteti lokal përbëhet nga koalicioni LDK-PDK-Partia e Drejtësisë, ndërsa opozita ka në përbërje këshilltarë nga AAK-ja, VV-ja, AKR-ja dhe komunitetet pakicë.