Rangimi i Kosovës ndër vite në Raportin e të bërit biznes - Foto: Facebook

Ngritje në Raportin e të Bërit Biznes, Rënie në Numrin e Bizneseve të Regjistruara

Gjatët ditës së djeshme u publikuan dy raporte që folën për biznesin në vend.

Në raportin e parë u tha se Kosova në të bërit biznes shënoi rritje dhe progres në mesin e 190 vendeve të botës përderisa të dhënat flasin për rënie të regjistrimit të bizneseve.

Banka Botërore (BB) publikoi raportin vjetor “Të Bërit Biznes 2018” për 190 vende të botës.

Në këtë raport, Kosova shënoi progres në të bërit biznes dhe u rendit në vendin e 40 duke shënuar ngritje për 20 vende më lartë në krahasim me një vit më parë.

Në raport, Kosova radhitet e 10-ta në regjistrimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122-ta në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve me pjesëmarrje të vogël, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës

Në po të njëjtën ditë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë” për tremujorin e tretë të këtij viti.

Sipas ASK-së në këtë tremujor u regjistruan 2 mijë e 215 ndërmarrje.

Krahasuar me tremujorin paraprak kishte rënie për 0.98% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Po ashtu, me rënie ishte edhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 10.5% më pak biznese u regjistruan këtë vit.

Tregtia vazhdon të mbajë stafetën e numrit më të madh të bizneseve të regjistruar në këtë aktivitet, pastaj radhiten bujqësia, pylltaria dhe peshkataria.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 529 ndërmarrje të regjistruara (23.9%); bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 245 ndërmarrje të regjistruara (11.1%); prodhimi me 225 ndërmarrje të regjistruara (10.2%); akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 208 ndërmarrje të regjistruara (9.4%); ndërtimtaria me 188 ndërmarrje të regjistruara (8.5%)…”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas numrit të të punësuarve dominojnë biznese me 1 deri në 4 të punësuar.

“Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 përbën 2 147 ndërmarrje ose 96.9% e ndërmarrjeve të regjistruara. Kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 49 ndërmarrje të regjistruara (2.2%), me 10 deri në 19 të punësuar me 12 ndërmarrje (0.5%), 20 deri 249 të punësuar me 6 ndërmarrje (0.3%); ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar është vetëm një ndërmarrje e regjistruar gjatë këtij tremujori”, tregon publikimi.

Sipas shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ASK thotë se ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 668 ndërmarrje të regjistruara apo me 30.2 për qind, Ferizaj me 188 , Prizreni me 177, Peja 114, Gjilani 100, Gjakova me 75.

Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.