Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Ngritet aktakuzë ndaj inspektorit në Prizrenit për mos-rrënim të objektit pa leje

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë për një inspektor të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.M, në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin përkatësisht për investitorët N.K, dhe S.V.

Tutje, Prokuroria ka sqaruar se i akuzuarit N.M, dyshohet se nuk ka ndërmarrë konkluzion për rrënimin e katit të tetë të kompleksit ndërtimor në lagjen “Jeta e re” në rrugën ”Xheladin Hana”, në Prizren.

Ky objekt sipas prokurorisë ka pasur leje për ndërtim për shtatë kate, ndërsa një kat është ndërtuar pa leje.

Prokuroria ka sqaruar se inspektori ndaj të cilit është ngritur aktakuza ka mundësuar edhe ndërtimin e tri kateve shtesë pa leje në objektin e banimit kolektiv në rrugën “Rexhep Bajraktari”, në Prizren, objekt ky i cili ka pasur leje për ndërtim të dy kateve.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.​