Ngecjet e Kosovës në raport me BE-në

Deputetja Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputeti Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë organizuar tryezën “Raporti i Republikës së Kosovës me Bashkimin Europian – Lëvizja e lirë, Reformat, MSA”.

Deputetja e LVV-së e cila është edhe anëtarë e Komisionit për Integrime Europiane, ka kërkuar të dijë se pse nuk është bërë liberalizimi i vizave duke pas parasysh që krerët institucionalë kanë thënë se 95 kriteret e kërkuara janë plotësuar.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë se qeveria nuk ka bërë aq sa duhet. Çfarë ndodhi gjatë këtij vitit që ndërroi qëndrimi i shumë shteteve që deklaroheshin shumë pozitivë sa i përket shtetit tonë në raport me gjitha këto procese”, tha Kollçaku.

Ajo përmendi edhe rolin e Kuvendit të Kosovës duke thënë se duhet t’ia kthejnë rolin dhe se ka qenë i anashkaluar.

“Për çështje kaq të rëndësishme për shtetin tonë duhet të kemi konsensus të të gjitha subjekteve politike”, tha ajo.

“Vetë procesi i dialogut deri më tani mund të themi se ka qenë më shumë një aventurë personale e  presidentit Hashi Thaçi po ashtu ka reflektuar negativisht në gjitha këto procese të agjendës evropiane”, shtoi Kollçaku.

Edhe anëtari tjetër i komisionit për Integrime Armend Zemaj, tha se është e nevojshme që Kuvendi i Kosovës të jetë i hapur dhe të ketë përkushtim të përbashkët.

Sa i përket raporteve kontraktuale me BE-në, Zemaj tha se sipas statistikave tregohet se Kosova ka ngecur.

“Raportet e BE me Kosovën në pjesën kontraktuale trajtohen përmes marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, por edhe mbi zbatimin e Agjendës për Reformat Europiane. Statistikat tregojnë se kemi ngecur në të dyja”, tha Zemaj.

Sipas tij, ky vit e ka komplikuar rrugëtimin e Kosovës në familjen europiane.