Ilustrim

Ngec Prokurimi Elektronik

Zvarritja e prokurimit elektronik po bëhet për shkak të mungesës së kapaciteteve menaxheriale, njerëzore dhe teknike në agjencitë përgjegjëse qeveritare. Ky konstatim është bërë në raportin e auditimit mbi implementimin e kontratës për Sistemin e Prokurimit Elektronik që është bërë nga Zyra Kombëtare e Auditimit, i publikuar në korrik.

Projekti i prokurimit elektronik (E-prokurimi) është mbështetur nga Banka Botërore, ndërsa bartëse e projektit është Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

Sistemi i prokurimit elektronik është zhvilluar nga konzorciumi i kompanive “INFODOM” dhe “Komtel” për një shumë prej 578,991 euro.

Zvarritja e implementimit të prokurimit elektronik, sipas Auditorit, ka bërë që të zbatohen ende sistemet e vjetra manuale me joefiçiencën dhe rreziqet e ndërlidhura.

Një nga të gjeturat e Auditorit është mostrajnimi i stafit, i cili duhet të punojë dhe të mirëmbajë këtë platformë. Stafi, sipas ZKA-së, është i papërgatitur dhe pa trajnime adekuate, pasi nuk janë bërë trajnimet nga operatori ekonomik siç ishte paraparë në kontratë.

“Në përfundim të auditimit tonë ne kemi vërejtur se nuk ka pasur trajnim për përdoruesit e E-prokurimit, nuk janë ofruar trajnime për ekipin teknik, trajnime menaxheriale e as nuk janë përgatitur manuale për përdoruesit e sistemit të e-Prokurimit, trajnime këto të parapara me kontratë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje, Auditori konstaton se E-prokurimi do të zvarritet edhe për shkak të vonesave në përfundimin e trajnimeve.

“Nuk është mbajtur as trajnimi i pritur i 800 përdoruesve . Është mbajtur një trajnim shumë i kufizuar për Trajnim të Trajnerëve (ToT). KRPP-ja është duke planifikuar të trajnojë 300 përdorues këtë vit – normë e trajnimit e cila do të kërkonte tre vjet (3) për të trajnuar të gjithë përdoruesit dhe kështu do të vononte zbatimin e plotë të e-Prokurimit brenda të njëjtave afateve kohore”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka rezerva për suksesin e këtij sistemi të prokurimit në fazën e pilotimit, pasi autoritetet kontraktuese në këtë fazë kanë filluar përdorimin e e-Prokurimit vetëm si metodë “shkollore” ose e “të mësuarit”.

“Në Memorandum Mirëkuptimi (MM) me shtatë (7) institucione… nuk specifikohet metoda matëse e performancës, apo rezultatet e pritshme të qasjes së implementimit të kësaj faze. Është gjithashtu e paqartë se cilat do të jenë kriteret bazë të pranimit, në mënyrë që të deklarohet nëse faza pilot ka qenë e suksesshme ose jo. Gjithashtu është e paqartë se si do të testohet sistemi dhe/ose mësohet, nëse nuk shkëmbehen informacione mes ATK-së dhe Thesarit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Një tjetër problem që e rrezikon platformën online është sigurimi i sistemit të informacionit nga sulmet e jashtme. Sistemi është dashur të sigurohet nga Ministria e Punëve të Brendshme për nivel të mirë të sigurisë por pasi që kjo kishte një kosto logjistike KRPP-ja kishte vendosur të lërë që përdoruesit të qasen duke përdorur qasje vetëm me një faktor: emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin, e sipas auditorit kjo rrit rrezikun e përdorimit të paautorizuar të sistemit.

Këto dhe probleme tjera specifike të paraqitura në raportin e auditimit tregojnë se prokurimi elektronik nuk do të jetë funksional edhe për një kohë të gjatë.

Në dhjetor të vitit 2014 është iniciuar projekti i prokurimit elektronik, i mbështetur nga Banka Botërore. Fillimisht ishte premtuar se i njëjti do të jetë funksional në fund të vitit 2015. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Në fillim të vitit 2016, me pjesëmarrje edhe të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është startuar pilot-projekti i prokurimeve elektronike në gjashtë autoritete kontraktuese qendrore.

Kryeministri Mustafa kishte thënë në fillim të vitit se ky sistem do të eliminojë aspektin burokratik, do të rritë transparencën dhe do të jetë një përpjekje e mirë kundër korrupsionit. Platforma është dashur të jetë funksionale në pjesën e dytë të viti 2016.

http://kallxo.com/prokurimi-online-per-zvogelim-korrupsioni/

Po ashtu, ishte premtuar se në të gjitha autoritetet kontraktuese qendrore prokurimi elektronik do të startojë në muajin korrik, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Fillimi i zbatimit të prokurimit elektronik ka qenë një nga kushtet për liberalizim të vizave, por edhe kriter për zbatimin e marrëveshjes stand-by me Fondin Monetar Ndërkombëtar.