Ngarkesa me Borxh e Klientëve Bankarë në Kosovë

Shënimet për ngarkesën me borxh të huamarrësve kosovarë i dha Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas të dhënave të kësaj banke afër 40 për qind e gjithsej huamarrësve, ekonomi familjare dhe ndërmarrje kanë problem me ngarkesë të borxhit, pasi kësti mujor tejkalon 50 për qind të vlerës së të hyrave neto.

44.7 për qind e kredimarrësve të ekonomive familjare shpenzojnë më shumë se 50 për qind të të hyrave neto për pagesë të kësteve, ndërsa te kreditë e ndërmarrësve 36 për qind të tyre paguajnë më shumë se gjysmën e të hyrave në këste kredie.

Megjithatë kreditë biznesore tejkalojnë ato individuale kur bëhet fjalë për raste ku kësti i kredisë bankare është më i lartë se të hyrat mujore neto.

Ngarkesë të tillë borxhi nëpër banka kanë 19.3 kanë për qind të ndërmarrjeve dhe 8.4 për qind të individëve.

BQK-ja në raportin e saj konstaton se më të mbingarkuar me këste kreditore janë huamarrësit që përdorin mbitërheqje dhe shfrytëzuesit aktivë të kartelave kreditore.

Dallimi është më i theksuar sidomos te ndërmarrjet, ku niveli i ngarkesës me borxh është mjaft më i lartë në rastet e përdorimit aktiv të këtyre produkteve dhe vetëm 25 për qind e ndërmarrjeve që nuk përdorin mbitërheqjet kanë problem me ngarkesën e borxhit, krahasuar me 50 për qind të atyre që përdornin mbitërheqjen.

Përkundër nivelit relativisht të lartë të ngarkesës me borxh, vonesat në pagesa të kësteve kanë pjesëmarrje më të ulët.

BQK-ja bën të ditur se vetëm 11 për qind të huamarrësve kosovarë vonojnë pagesat e kësteve bankare më shumë se 30 ditë. Probleme më të mëdha me vonesat kanë ndërmarrësit në raport me ata që marrin kredi individuale, edhe pse ngarkesa me borxh bankar kanë më shumë huamarrësit individualë.

Ngarkesa me borxh jodomosdoshmërisht reflektohet me vonesa në pagesë të kredive, pasi që huamarrësit në vazhdimësi sigurojnë pagesa përmes burimeve të tjera të financimit, si huamarrja nga familjarët, remitancat apo kursimet.

Bankat janë më të prirura për dhënie të kredive me rrezik të lartë për ndërmarrjet me përvojë më të gjatë të punës, ndërsa janë më të vëmendshme për ato ndërmarrje të reja.

Marrja e kredive nga institucione të ndryshme, si dhe përfshirja në bashkëhuamarrje me vonesë në pagesë reflektohet në performancë më të dobët.

Rrjedha e pagesës së kësteve kreditore përkeqësohet në fazën më të vonshme të afatit të kontratave kreditore, duke i bërë kështu më të pasigurta kreditë afatgjata bankare.

Përfundimisht, vonesat në pagesë kanë lidhshmëri me aktivitetin ekonomik në vend, ku periudhat e rritjes më të ngadalshme ekonomike rastisin me periudhat e përkeqësimit të performancës së pagesës së kësteve kreditore.

Ngarkesa të nivelit të lartë me borxh kreditor bankar përveç mbitërheqjeve dhe shfrytëzimit aktiv të kartelave kreditore, shkaktojnë edhe huamarrja e shumëfishtë apo huamarrja e njëkohshme nga disa institucione, vënia në dispozicion e pengut në kredi, etj.

Sektori bankar në Kosovë pas luftës ka hyrë në dekadën e dytë të funksionimit, ndërsa në bazë të publikimeve të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës ky sektor po del të jetë më i miri.

KALLXO.com shkroi edhe për fitimet e bankave.

http://kallxo.com/nuk-ndalen-bankat-fitojne-81-3-milione-euro/

http://kallxo.com/bankat-ne-kosove-me-fitime-rekorde/