Ngacmimi Seksual Kudo i Pranishëm në Kosovë

Një raport i publikuar nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës tregon se ngacmimi seksual është kudo i pranishëm në Kosovë dhe se femrat janë shënjestra e zakonshme e këtij lloji të ngacmimit.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se 64.1 për qind e femrave në Kosovë kanë përjetuar ngacmim seksual përderisa te meshkujt kjo përqindje është përgjysmë më e vogël.

Në vitin 2014, i njëjti hulumtim tregonte se 63.5 për qind e femrave të anketuara ishin ngacmuar seksualisht, ndërsa te meshkujt kjo përqindje arrinte në 24.3.

Por vetëm 4.1 për qind e të anketuarve kanë thënë t’i kenë raportuar rastet e ngacmimeve ndaj tyre.

Sipas raportit, një numër pak më i lartë i grave sesa ai i burrave bien dakord me pohimin se “Gratë u shkaktojnë vetë probleme vetës, duke u veshur dhe duke u sjellë në mënyrë provokative”.

Drejtoria ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rogova tha se ky raport është bërë që t’u dëshmohet qytetarëve dhe institucioneve se ngacmimi seksual në Kosovë ekziston.

“Gjatë gjithë vitit do të kemi aktivitet, madje edhe në rrugë me moton s’ka më arsyetim, nuk arsyetojmë më asnjë njeri, asnjë institucion, asnjë kryeministër askënd që diskriminon që nënçmon edhe që u shkel të drejtat grave”, tha ajo.

Përfaqësuesit i institucioneve kanë prirje ta keqkuptojnë ngacmimin seksual si përdhunim apo sulm seksual, ndërkohë format “më pak të rënda” janë të panjohura ose konsiderohen të parëndësishme, thuhet në raport.

Edona Hajrullahu nga Zyra për Barazi Gjinore në Qeverinë e Kosovës, tha se sot ky fenomen mund të ndodh në forma dhe vende te ndryshme, në rrugë, shkolla dhe institucione.

“Ligji për Barazi Gjinore përkufizon ngacmimin seksual si çfarëdo formë të sjelljes së padëshiruar, verbale,  jo verbale apo edhe fizike me natyrë seksuale, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi, dhe për të krijuar një mjedis frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes”, tha Hajrullahu.

Udhëheqësi i Agjencisë Austriake për Zhvillim, Christian Geosits tha se ligjet duhet të fillojnë të zbatohen në Kosovë.

“Janë gjithë këto ligje dhe nuk besoj që kemi nevojë për më shumë ligje sepse Kosova ka më së shumti ligje, kemi nevojë për një rekomandim të fortë dhe për punë”, tha ai.

Më 25 shkurt do të behët edhe lansimi online i aplikacionit #EcShlirë i cili ka për qëllim raportim në kohë reale të ngacmimeve seksuale.