Nga Sot, Tatimi në Pronë Paguhet Edhe në Postë e Bankë

Nga sot ka filluar aplikimi i shërbimit elektronik  për Tatimin në Pronë ‘E-Fatura’.

“Ministria e Financave ka bërë përgatitjet përfundimtare të shërbimit elektronik përmes të cilit, tatimpaguesve ua mundëson marrjen e faturës, përcjelljen e gjendjes, si dhe bërjen e pagesës së tatimit në pronë në pikën më të afërt,  në Postë apo në Bankë”, thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga kjo ministri.

Përveç kësaj, numri UNIREF në faturë ua mundëson tatimpaguesve që ta kryejnë pagesën edhe përmes sistemit bankar, e-banking.

Kusht për shfrytëzimin e sistemit elektronik nga ana e tatimpaguesve është futja e të dhënave personale si emri, mbiemri dhe numri personal në regjistrin e tatimit në pronë.

“Përmes përdorimit të shërbimit elektronik, tatimpaguesit kursejnë kohën dhe koston dhe po ashtu, mundë ta përcjellin gjendjen në çdo kohë”, njofton Ministria e Financave.

Zbatimi i këtij sistemi më të avancuar të pagesave për Tatimin në Pronë nga Ministria e Financave, është një projekt në ofrimin e shërbimeve “më të mira dhe më të shpejta për tatimpaguesit”.