Ndertesa e Komunes se Pejes, Pej. 04 Qershor 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Nga mjetet për investime kapitale, komuna e Pejës pagoi ‘marimangën'

Për t’i realizuar pagesat për ‘marimangën’ e automjeteve, pagesat përmes vendimeve gjyqësore që së bashku kalonin vlerën e gjysmë milioni euro, komuna e Pejës i mori mjetet ku i kishte të lira në buxhetin e vet.

Komuna e Pejës, gjatë viti 2019, kishte bërë keq klasifikim të shpenzimeve. Raporti i ZKA-së tregon se përmes vendimeve gjyqësore ishin regjistruar shpenzime në kategoritë ekonomike jo adekuate në vlerë mbi gjysmë miliona euro respektivisht 515,036 euro.

Auditori bën të ditur se pjesa më e madhe e këtyre mjeteve u paguan për bartjen e automjeteve

“Pagesa në vlerë prej 492,047€8 për “Rimorkim, tërheqjen e automjeteve të parkuar jashtë ligjit apo atyre të aksidentuar dhe bartja deri tek vend parkingu” ishte paguar nga kategoria e investimeve kapitale, por që për nga natyra i takon kategorisë mallra dhe shërbime”, thuhet në gjetjet e raportit.

Tutje Auditori përmend pagesën tjetër në vlerë 4,981 euro për gjobën e shqiptuar për mos zbatim të Aktvendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ishte paguar nga e njëjta kategori por që i takon kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.

Kompensimin e pagave mujore për shkak të ndërprerjes së punë në vlerën e 18,008 eurove komuna paratë i kishte marrë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ndonëse do të duhej paguheshin prej kategorisë së paga dhe mëditje.

Sipas auditorit, në mungesë të mjeteve në kategoritë adekuate, komuna kishte kryer pagesa nga kategoritë e tjera gjithashtu mosrespektimi i afateve ligjore të pagesave ka shkaktuar vonesa në pagesën me kohë të obligimeve duke ndikuar në zhvillimin e kontesteve gjyqësore.

Në raport theksohet se pagesa e vendimeve gjyqësore për kategori jo adekuate ekonomike ndikon në shpenzimin e buxhetit për qëllime të tjera, duke rrezikuar implementimin e projekteve arritjen e objektivave të komunës të parashikuar me buxhet përderisa ka rezultuar edhe me kosto shtesë nga kamatat, shërbimet gjyqësore dhe të përmbarimit.

Kryetarit Muhaxheri iu rekomandua të sigurojë se janë marrë veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje

“Kryetari i komunës duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit apo të bëhet ridestinimi i mjeteve sipas kërkesave ligjore dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet në mënyrë strikte sipas kategorive ekonomike adekuate. Kryetari duhet të sigurojë që para krijimit të obligimeve fondet janë të buxhetuara dhe mjetet janë të zotuara me qëllim të forcimit të disiplinës financiare për pagesën e obligimeve me kohë dhe evitimin e ballafaqimit me drejtësinë duke eliminuar edhe pasojat apo mundësin e shpenzimeve shtesë”, rekomandon Auditori.

Përmes letër konfirmimit, drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit, kreu i komunës Gazmend Muhaxheri konfirmoj se pajtohet me të gjeturat e raportit dhe rekomandimet pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit për Pasqyrat Financiare Vjetore të  viti 2019 për Komunën e Pejës.