Nga dita e djeshme, banorët e Fushë Kosovës pa ujë për shkak të prishjeve

“KRU Prishtina” ka njoftuar banorët e Fushë Kosovës për ndërprerjen e furnizimit me ujë.

Sipas Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, ndërprerja e ujit ka ardhur si pasojë e një prishjeje në Bresje.

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” sh.a. njofton konsumatorët e Fushë Kosovës, ata të cilët furnizimin me ujë e kanë nga objekti prodhues Kroni / Kuzmin se, gjatë ditës së djeshme rreth orës 17.00 ka pas pëlcitje të tubacionit të ujit në linjën fi 400 mm në Bresje”, thuhet në njoftimin e “KRU Prishtina”.

Ndonëse prishja kishte ndodhur gjatë ditës së djeshme, Kompania ka dhënë edhe arsyet se pe u vonohen sanimet e problemit.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për sanim por, si pasojë e pozicionit të vështirë për punë nuk është arritur të sanohet. Pengesa të shumta si, ndriçimi publik, prona private ku kalon linja kanë bërë të pamundur të punohet në sanimin e tubit”, thuhet tutje në njoftim.

“KRU Prishtina” ka kërkuar mirëkuptim nga banorët e qytetit të Fushë Kosovës dhe ka premtuar rregullimin e defektit.

 

“Sot, ekipet janë përgatitur dhe do të ndërhyjmë me të gjitha kapacitetet që të sanohet defekti në tub, rrjedhimisht t`iu kthehet furnizimi me ujë të pijshëm zonës që furnizohet nga sistemi i Kronit në Fushë Kosovë. Kërkojmë mirëkuptim!”, thuhet në fund të njoftimit.