Konferenca ku u paraqitën dokumentet për Prishtinën nga koha e Perandorisë Osmane | Foto: KALLXO.com

Nga Arkivi i Stambollit Vijnë Copëza Historie të Prishtinës

Komuna e Prishtinës tregoi sot dokumentet për të që mori nga Arkivi i Perandorisë Otomane në Stamboll.

Një porosi e dërguar me telegraf në vitin 1878 mytesarifit të Shkupit nga Komuna e Prishtinës në lidhje me shqiptarët e shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit dhe çmimi i pestë i fituar nga kryetari i Prishtinës në vitin 1905 për suksese në udhëheqjen e komunës, janë dy nga shumë dokumentet që arkivi i kryeqytetit ka marrë nga Arkivi i perandorisë Otomane në Stamboll.

Muhedin Nushi, drejtor i Administratës në Prishtinë tha se marrëveshja me Arkivin e Perandorisë Otomane në Stamboll është arritur muajin e kaluar me ndërmjetësimin e konsullatës së Republikës së Kosovës, por edhe me ndihmën e Agjencisë së Arkivit të Republikës së Kosovës.

“Marrëveshja jonë ka të bëjë me pasurimin e Arkivit Komunal të Prishtinës me një thesar sinqerisht shumë të çmueshëm. Kemi arritur marrëveshje që të gjitha dokumentet nga arkivi shtetëror i Perandorisë Otomane në Stamboll por që i përkasin Komunës së Prishtinës të jenë pronë e Arkivit Komunal në Prishtinë”, tha Nushi.

Komuna e Prishtinës gjatë vizitës në Stamboll ka siguruar 36 dosje arkivore që kanë të bëjnë me Prishtinën e periudhës nga viti 1322 deri në vitin 1912.

“Të gjitha këto dokumente sa ka arritur Arkivi i Perandorisë Otomane me na përgatit gjatë vizitës në Stamboll, vetëm një CD e kemi, megjithëse i kemi pasur 36 dosje arkivore që nënkupton se një dosje mund t’i ketë një faqe ose 100 faqe, pra 36 dosje me gjithsej 169 faqe, të gjitha këto dokumente kanë të bëjnë me periudhën e caktuar prej 1322 deri në vitin 1912, pra vetëm këto dokumente ne i kemi marrë”, shtoi Muhedin Nushi.

Besart Vllahinja, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës tha se është e rëndësishme që të mbështeten programe të studimit qoftë edhe përmes subvencionimit për studentët ose kuadrot të cilat e kanë objekt të studimit osmanishten e vjetër, kjo për qëllim të ngritjes së kapaciteteve në përpunimin e materialit arkivor.

“Pjesa më e madhe e dokumenteve të prezantuara janë materiale administrative po për shkak të periudhës historike të cilën ato trajtojnë  përbën interes të veçantë edhe për hulumtuesit shkencorë edhe qarqet akademike”, shpjegoi Vllahinja.

Numri i saktë i dokumenteve deri tash të digjitalizuara e që kanë të bëjnë me Komunën e Prishtinës është 9817 dokumente, por sipas Muhedin Nushit ky nuk është numri përfundimtar sepse Arkivi i Perandorisë Osmane në Stamboll vazhdimisht është duke i digjitalizuar dokumentet e vjetra.

“Pas marrjes së këtyre 9817 dokumenteve, kopjeve normal në arkivin tonë, çdo vit do të komunikojmë prapë sepse e kemi marrëveshje bilaterale në mes të Arkivit të Stambollit dhe arkivit të Prishtinës, përmes të cilit na kemi të drejtë me i kërku kopjet të cilat në ndërkohë janë digjitalizu, domethënë çdo vjet vjen deri te pasurimi i arkivit tonë”, tregoi Nushi.

Sipas tij, ka informacione edhe se ka pasur regjistrim të popullsisë që do të jetë me vlerë jashtëzakonisht të madhe historike, me pa se qysh ka shku trendi demografik që nga periudha otomane e deri në ditët e sotme.

Arkivi Komunal i Prishtinës aktualisht i posedon dokumentet për periudhën kohore prej vitit 1945 deri në ditët e sotme, por jo edhe para vitit 1945.

“Prandaj vetë fakti që do të pasurohemi, ose do t’i marrim këto dokumente në formë digjitale do ta pasuron jashtëzakonisht shumë edhe do ta ngre nivelin e shfrytëzimit dhe interesimit të studiuesve shkencorë në të ardhmen për arkivin komunal”, përfundoi Nushi.

Komuna e Prishtinës ka marrë ftesë që gjatë muajit korrik të shkojë për një vizitë tjetër në Arkivin e Perandorisë Otomane në Stamboll në momentin kur ata të jenë gati me komplet dosjen digjitale të dokumenteve që i takojnë Komunës së Prishtinës.

Këto dokumente nga sot mund të gjenden online në webfaqen e Komunës së Prishtinës.

Ja disa nga dokumentet e ardhura nga Stambolli.