Foto Ilustrim: Vjetari- Agjencia e Statistikave

Nga 50 Punëtorë i Shtohen Çdo Muaj Administratës së Shtetit

Përkundër luhatjeve të vogla të numrit të të punësuarve në administratën e shtetit ndër vite, nga viti 2011 e këndej pothuajse u punësuan rreth 50 persona në muaj në administratën shtetërore.

Në 2016-ën, vërehet një rënie e lehtë e numrit të punësuarve në administratën shtetërore në krahasim me një vit më parë.

Punësimet pësuan rënie në sektorin e rendit dhe sigurisë publike dhe arsimit . Në anën tjetër, arsimi dhe shëndetësia rriti pagën mesatare në krahasim me sektorë të tjerë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2016 thonë se në sektorin shtetëror në Kosovës ka të punësuar gjithsej 81 mijë e 629 persona.

Në krahasim me vitin paraprak kemi rënie të lehtë të të punësuarve në administratën e shtetit, apo rreth 148 më pak të punësuar.

Rënia ka prekur sektorin e rendit dhe sigurisë publike, arsimin, çështjet e  banimit.

Në anën tjetër numër lehtësisht më të lartë të të punësuarve në krahasim me një vit më parë kishte te shërbimet e përgjithshme, shëndetësia, ekonomia, rekreacioni e kultura.

Nga viti 2011, numri më i madh i të punësuarve në administratën shtetërore u regjistrua në  vitin  2015- 81 mijë e 777 të punësuar, përderisa më i ulët ishte në vitin 2011- 78 mijë e 68 të punësuar.

Përkundër luhatjeve të lehta të numrit të punësuarve ndër vite,  Nga 2011-ta deri në vitin 2016 stafi në këtë sektor është rritur rreth 3 mijë e 561 persona.

Sipas përllogaritjes i bie që brenda kësaj periudhe kohore rezulton se janë punësuar 593 persona në vit, apo 50 të punësuar për çdo muaj.

Në administratën shtetërore paga mesatare është me rënie në krahasim me një vit më parë. Në 2016-ën sipas Raportit Vjetari Statistikor 2017, paga mesatare ishte 453 euro, përderisa në 2015-ën 458 euro.

Burimi-Agjencia e Statistikave

Sektorët e shërbimeve të përgjithshme dhe arsimit janë sektorët të cilët kanë kontribuuar në rritje të pagës mesatare, përderisa sektorë të tjerë kanë dhënë efektin e kundërt.