Foto: REL/Shutterstock

Nga 15 qershori ulen çmimet e roamingut me Shqipërinë

Në mbledhjen e Bordit të ARKEP-it të Kosovës dhe Këshillit Drejtues të AKEP-it të Shqipërisë është marrë vendim që nga 15 qershori të fillojë ulja e çmimit të roamingut për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Fillimisht do të ketë një ulje prej 90 për qind të kostos aktuale.

Kurse më 1 korrik 2021 planifikohet që të hiqen plotësisht tarifat roaming për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në respektim të plotë të marrëveshjes ndër-shtetërore të dy palët u pajtuan që procesi i reduktimit të tarifave të fillojë nga data 15 Qershor 2019 fillimisht nëpërmjet aplikimit të modelit “RLAH+”, reduktim i cili do të sjellë efekte pozitive të menjëhershme tek qytetarët e të dy vendeve (nga kur do të ketë zvogëlim rreth 90% nga kostoja aktuale e përdorimit të telefonisë në roaming), dhe në vijim heqjen e plotë të tarifave roaming për qytetarët e dy vendeve, duke filluar nga 1 korriku 2021”, thuhet në njoftimin e ARKEP-it.

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është nënshkruar në Pejë më 26 nëntor 2018.

Më 11 maj 2019 në Tiranë është organizuar mbledhja e përbashkët e Bordit Drejtues të ARKEP dhe Këshillit Drejtues të AKEP lidhur me procesin e reduktimit të tarifave dhe heqjes së plotë të tyre për shërbimin roaming për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë sipas kësaj marrëveshje.

Gjatë mbledhjes u diskutua për përfitimet që do të kenë qytetarët e të dy vendeve në lidhje me reduktimin dhe heqjen e plotë të tarifave të shërbimet roaming, e cila do të aplikohet sipas principeve të modelit të aplikuar më parë nga vendet e Bashkimit Evropian “Roam Like At Home (RLAH)”.

Vendimi për Rregullimin e tarifave me shumicë dhe pakicë të Roamingut si dhe ato të terminimit të thirrjeve mobile me Republikën e Shqipërisë e gjeni në këtë link.

Në samitin digjital të Ballkanit Perëndimor i cili është mbajtur në Beograd, në fillim të muajit prill, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi” do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku 2019 të ulin kostot e roaming-ut, ndërsa nga 1 korriku 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roaming-ut.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.