Nga 15 gushti fillon aplikimi për kompensimin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta

Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka sqaruar mënyrën e aplikimit për pensionistët e arsimit të viteve 1990 – 1999.

Ministria ka njoftuar se nga data 15 gusht 2019 filloj zbatimi i ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit gjatë këtyre viteve.

“Njoftohen të gjithë ish-punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që kanë punuar për periudhën 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, se nga data 15.08.2019 MPMS  fillon zbatimin e  Ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, andaj me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, njoftoheni se kërkesat për kompensim shtesë mund të dorëzohen  në zyrat më të afërta të pensioneve”, thuhet në njoftimin e MPMS.

Po ashtu, ministria se paraqitja e kërkesave për pagesa retroaktive që nga hyja në fuqi e ligjit do të realizohet nga data 15 gusht e deri më 3o nëntor të vitit 2019.

Sipas njoftimit të ministrisë kërkesës duhet t’i bashkëngjiten këto dokumente:

•       Kopja e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës;
•       Ekstrakti i lindjes;
•       Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar);
•       Faturën e tatimit në pronë;
•       Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në  sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës;
•       Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontributiv.

MPMS ka bërë apel te aplikuesit, pra ish punëtorët e arsimit që t’u përmbahen afateve për parashtrim të kërkesës, derisa formularin dhe udhëzimet e nevojshme mund të merren  në të gjitha Zyrat  e  Pensioneve.

“Mos parashtrimi i kërkesës, përkatësisht mos respektimi i afateve për parashtrim të kërkesës, mbartë  pas  vetes  pasojat e mos pagesës së retroaktivitetit të pensionit”, thuhet në njoftim.

Nga pjesa e dytë të këtij viti pritet të fillojë kompensimi shtesë për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.

Ky kompensim u mundësohet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri më 1999, i cili është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por që ende nuk ka filluar zbatimi i tij në praktikë.

Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish-liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Punëtorët, të cilët e kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë asaj periudhe, pritet t’i marrin benificionet pas daljes në pension. Ata do të marrin nga 19 deri në 95 euro, varësisht sa vjet kanë punuar në arsim.

Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kanë thënë se nxjerrja e disa akteve nënligjore ka bërë që të shtyhet ndarja e mjeteve financiare për përfituesit, që sipas tyre, është e panevojshme.

Në bazë të këtij ligji, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e tij.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se konform procedurave dhe afateve kohore, janë duke u hartuar dy udhëzime administrative që parashihen me ligj.