Nexhat Çoçaj Pesëfishon Kërkesën për Dëmshpërblim

Drejtori komunal për Arsim në Prizren, Nexhat Çoçaj ka kërkuar dëmshpërblim prej 15 mijë euro nga asamblistja e Vetëvendosjes në Kuvendin komunal, Drita Millaku.

Çoçaj e ka paditur Millakun për shpifje kur ajo kishte deklaruar se ka dyshime që bashkëshortja e tij merr pagë të mësimdhënësit më të madhe se kolegët tjerë.

Në seancën e së hënës, Çoçaj e rriti kërkesën për dëmshpërblim në 15 mijë euro pasi më parë kishte kërkuar 3000.

Ai tha se kërkon nga gjykata që të vendosë në favor të tij, pasi me shpifje dhe shantazhe të tilla, është prishur imazhi i tij.

“Kërkoj nga gjykata që te vendos në favorin tim, sepse me mënyra të tilla të shpifjes dhe të shantazheve dhe të gënjeshtrave është prishur imazhi im personal, si dhe më të pavërteta të tilla, është organizuar edhe një protestë”, tha Çoçaj duke iu referuar një proteste të mbajtur më 7 mars të këtij viti.

Po ashtu ai tha se deklarimet se ka përfituar bashkëshortja e tij nuk ishin pyetje nga asamblistja, por komente dhe shpifje ndaj tij.

“Mendoj se shprehen dyshimet se bashkëshortja ime ka manipuluar ose ka marrë pagë, ka përfituar nga mosdhënia e listave të . Nuk ka të bëjë me pyetje, por me fyerje dhe shantazh”, tha ai.

http://kallxo.com/nexhat-cocaj-kerkon-3-mije-euro-demshperblim-nga-asamblistja-e-lvv/

Por asamblistja Millaku tha se nuk ka shpifur, por ka kërkuar sqarim nga drejtori.

Ajo tha se këtë të drejtë ia njeh edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

“Ligji thotë se anëtari i kuvendit të komunës ka të drejtë të kërkojë informacione lidhur me çështjet komunale nga kryetari apo zëvendësuesi i komitetit, në këtë rast e kemi fjalën për drejtorin”, tha Millaku.

Në këtë shqyrtim u dëgjuan edhe dy incizime me pyetje e shtruara në asamblenë komunale nga asamblistja Drita Millaku të cilat Çoçaj i konsideron fyerje dhe shpifje dhe një incizim tjetër i një deklarate për media e asamblistëve lidhur më këtë çështje.

Shqyrtimi në këtë rast ka përfunduar, ndërsa një aktvendim i gjykatës do t’u dërgohet palëve me shkrim brenda afatit të caktuar ligjor.