Nexhat Çoçaj Humb Betejën Ndaj Drita Millakut

Çoçaj e kishte paditur Millakun për deklaratat që asamblistja i kishte bërë në vendin e saj të punës, duke kërkuar në fillim 3 mijë euro dëmshpërblim.

Në padinë e Çoçajt thuhej se Millaku në cilësinë e kuvendares më 26 shkurt 2015 kishte bërë deklarime të pavërteta nga foltorja e Kuvendit të Prizrenit në lidhje me listat e pagave të mësimdhënësve të shkollës fillore “Lekë Dukagjini”.

Sipas padisë, asamblistja kishte thënë se në këtë shkollë po mbahet fshehur lista e pagave pasi që aty punonte gruaja e drejtorit të arsimit Nexhat Çoçaj që dyshohet se ka përfituar nga paga.

Çoçaj, po ashtu në padi kishte thënë se deklarimet e pamatura të Millakut u bënë shkas për thirrjen e protestave dhe parullat që u përdorën në ato protesta kundër tij, më 7 mars 2015.

http://kallxo.com/nexhat-cocaj-kerkon-3-mije-euro-demshperblim-nga-asamblistja-e-lvv/

Gjatë shqyrtimit kryesor, drejtori Çoçaj kishte pesëfishuar kërkesën e tij për dëmshpërblim nga 3 mijë euro sa ishte në fillim, në 15 mijë euro.

Tani Gjykata Themelore në Prizren ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ka refuzuar padinë e Çoçajt për Millakun. Një kopje të këtij aktgjykimi e posedon edhe KALLXO.com.

Me aktgjykimin e gjykatës, i është refuzuar kërkesëpadia e paditësit Nexhat Çoçaj, si tërësisht të pabazuar.

Në arsyetimin e gjykatës ndër të tjera thuhet se deklaratat e të paditurës Millaku të dhëna në Kuvendin e Komunës së Prizrenit më shumë përmbajnë dyshime sesa konstatime, apo akuza të drejtpërdrejta për çështjen kontestuese.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se është në mandatin e të paditurës që si anëtare e Kuvendit Komunal të ngrejë çështje të caktuara të cilat konsiderohen se janë në interes të qytetarëve të cilët i përfaqëson.

Gjykata erdhi në përfundimin se “bazuar në nenin 9 pikën b të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, e paditura nuk mban përgjegjësi për deklarimet e saj të bëra në cilësi të anëtares së Kuvendit Komunal gjatë punimeve të këtij të fundit”.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, tha se ende nuk e ka pranuar aktgjykimin me shkrim.

“Unë ende nuk e kam pranuar vendimin me shkrim dhe nëse është e vërtetë që më është refuzuar padia, unë ju paralajmëroj se do të bëj ankesë brenda afatit ligjor në gjykatën e shkallës së dytë kundër këtij vendimi,” tha Çoçaj.

Vendimin e gjykatës e komentoi edhe asamblistja Millaku.

“Ky vendim veç sa me forcon edhe më shumë që çdo shqetësim dhe problem të qytetarëve  të vazhdoj t’i paraqes edhe përkundër shantazheve dhe kërcënimeve qe po më bëhen nga kjo qeverisje e korruptuar,” tha Millaku për KALLXO.com.

12592023_761530260645393_1488800467_o