Nexhat Çoçaj dhe Pesë Zyrtarët e Arsimit Kthehen në Punë

KALLXO.com siguroi një dokument në të cilin Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren i është përgjigjur kërkesës së Zyrës së Personelit të Komunës së Prizrenit për informacione në lidhje me masat e ndërmarra të gjykatës rreth 6 zyrtarëve komunalë.

Sipas dokumentit të lëshuar më 7 dhjetor, kryetari i Gjykatës në Prizren Ymer Hoxha e kishte njoftuar Zyrën e Personelit se aktualisht zyrtarët komunalë nuk kanë në fuqi ndonjë masë, edhe pse sipas Hoxhës, ndaj tyre vazhdonin hetimet.

“Pas kalimit të afatit të aktvendimit prej një muaj ditësh me të cilën është shqiptuar masa dhe ndalesat, Prokurori i Shtetit nuk ka propozuar vazhdimin e masave ndaj asnjërit prej të dyshuarve, ashtu që nga data 02.12.2015 të dyshuarit nuk kanë të shqiptuar asnjë masë dhe janë të lirë, por hetimet edhe më the ndaj tyre janë duke u zhvilluar,” thuhet në letrën e kryetarit të gjykatës.

Kjo përgjigje e kryetarit të gjykatës ka bërë që drejtori Çoçaj dhe të tjerët të kthehen në punë.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com edhe shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Prizrenit Ymer Berisha.

“Të gjithë zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit nga data 02.12.2015 nuk kanë asnjë ndalesë nga organet gjyqësore, ndaj në bazë të Ligjit të Shërbyesve Civilë, Komuna ka kthyer në pozitat e tyre të gjithë këta zyrtarë komunalë përfshirë edhe drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçajn,” tha Berisha.

Edhe drejtori Çoçaj, i kontaktuar nga KALLXO.com tha se është kthyer në punë në pozitën në të cilën ndodhej deri më 2 nëntor të këtij viti.

Drejtori komunal i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, së bashku me pesë zyrtarë të tjerë komunalë, Reshit Kushaj, Elbasan Shoshaj, Ferdi Kovaq, Ruzhdi Elezkurtaj dhe Almir Sahiti më 2 nëntor 2015 u arrestuan dhe ndaluan nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, si dhe për cenim të së drejtës në punësim dhe të papunësisë.

Ndërsa më 3 nëntor 2015, Gjykata Themelore në Prizren, drejtorit Çoçaj i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa zyrtarëve tjerë masën e arrestit shtëpiak.

Më 11 nëntor Gjykata e Apelit ndryshoi masën e paraburgimit për Çoçajn dhe po ashtu edhe masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarit tjerë dhe i zëvendësoi këto masa, me masën për ndalimin e ofrimit vendit apo personit të caktuar.