BIK - Foto: REL

Nesër zgjedhjet për kreun e BIK, Naim Tërnavës i del një rival

Në Bashkësinë Islame të Kosovës neswr do tw mbahet votimi pwr zgjedhjen e kryetarit tw kwtij institucioni fetar.

Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, ka treguar për KALLXO.com se kush janë kandidatët që do të jenë në garë për myfti të Kosovës.

“Për këto zgjedhje përfundimisht janë dy kandidatë: Naim Tërnava-kryetari i deritashëm dhe Reshat ef. Mexhidi- prof. i Medresesë nga Prizreni”, ka thënë Rexhepi.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Reshat Mexhiti, i cili aktualisht është imam në xhaminë Bajrakli në Prizren, tha shkurt se nuk mund të flasë për këtë çështje.

“Nesër janë zgjedhjet dhe në respekt të qetësisë dhe heshtjes nuk komunikojmë. Mund t’i pyesësh ata të komisionit zgjedhor”, tha imami Mexhiti.

Për të dy këta kandidatë, do të votojë trupi zgjedhor, i cili përbëhet nga 28 delegatë të Kuvendit, 28 kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës në 28 komuna, si dhe një përfaqësues nga Medreseja dhe një nga Fakulteti i Shkencave Islame.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ishte në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës për 13 vjet. Bazuar në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës, atij nuk i ndalohet që të rikandidojë për të parin e këtij institucioni.

Sekretari Rexhepi po ashtu ka shpjeguar për KALLXO.com procesin e zgjedhjeve.

“Në bazë të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Kryesia e BI-së në mbledhjen e fundit të saj ka marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve nga data 1 tetor e deri më 31 tetor 2018. Që do të thotë se subjektet e Bashkësisë Islame me të drejtë përfaqësimi në Kuvendin e Bashkësisë Islame janë të obliguara ta zgjedhin një anëtar për Kuvendin e BI-së dhe të propozojnë kandidatin për kryetar të Kryesisë së BI-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar”, tregoi Rexhepi.

Sipas tij, vetëm një këshill akoma nuk na e ka dërguar propozimin për kryetar.

Rexhepi ka treguar për KALLXO.com se këto zgjedhje janë duke u mbajtur me kushtetutë dhe rregullore të Bashkësisë Islame dhe konform dispozitave pozitive të akteve juridike.

“Zgjedhjet i udhëheq Kryesia e BI-së kurse i mbikëqyr Komisioni Kryesor i Zgjedhjeve, të cilin e emëron Kryesia jo më vonë se tetë ditë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve”, tha ai.

Tutje Rexhepi ka treguar se kush ka të drejtë të kandidojë për myfti të Kosovës për mandatin e pesë viteve të ardhshme.

“Në këtë proces zgjedhor jo se duhet dikush ta shpallë vetën si kandidat të mundshëm. Pra, askush nuk mund vet të kandidohet. Të drejtën e kandidimit e kanë këshillat (lokal) të Bashkësisë Islame dhe institucionet e BI-së (Fakulteti i Studimeve Islame dhe Medreseja), kështu që gjatë kësaj periudhe kohore këto subjekte janë të obliguara të propozojnë kandidatët eventual për kryetar-myfti të Kryesisë së BI-së të Kosovës”, ka treguar Rexhepi.

Sipas Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës kriteret që duhet t’i plotësojë janë: të kenë mbaruar medresenë dhe arsimin universitar islam, që është në marrëdhënie pune në Bashkësinë Islame së paku 10 vjet, që gëzon autoritet e besim te myslimanët, që ka aftësi organizative, që nuk është më i ri se 40-vjet.

Myftiu i Kosovës, do të udhëheq rreth 800 xhami në Kosovë dhe ka mandat 5 vjeçar.