Nesër Zgjedhje Studentore-Sot nuk ka Listë të Kandidatëve

Esat Kelmendi, sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës tha se lista e kandidatëve ende po verifikohet nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet studentore.

“Listat e kandidatëve janë në procedurë të verifikimit ende nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ-ja) dhe organizatat studentore janë duke i përmirësuar gabimet e tyre që i kanë pasur në lista,” tha Kelmendi.

Sipas tij, janë caktuar kandidatët, por komisioni është duke konstatuar problemet e mundshme me kandidatë.

“Janë caktuar kandidatët, por janë duke u konstatuar nga komisioni se a ka probleme me ata kandidatë, a e kanë regjistruar semestrin dhe nëse kanë përsëritur vitin,” tha Kelmendi.

Sot ishte heshtje zgjedhore për zgjedhjet studentore, por disa nga organizatat studentore ende lobonin për vete.

Opinioni i Pavarur Studentor (OPS), Reforma në Proces (RENP), janë organizatat të cilat nuk kanë hequr pllakatet me mbishkrimet e tyre në Fakultetin Filologjik.

zgjedhjet

Organizatat të cilat do të marrin pjesë në këto zgjedhje janë Unioni i Studentëve Proevropianë (USPE), Paqja Studentore (PS), Unioni i Pavarur i Studentëve të Kosovës (UPSK), Iniciativa Studentore Progresi ( ISP), Fryma e Re Studentore (FER), Perspektiva Studentore (PS), Lëvizja Studentore për Barazi, Studim Kritikë Veprim ( SKV), Opinioni i Pavarur Studentor (OPS), dhe Reforma në Proces (RENP).

Zgjedhjet do të mbahen të mërkurën më 13 janar, prej orës 08:00 e mëngjesit deri në orën 17:00 të mbrëmjes.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Kelmendi tha se  në rast se ka numër të madh të studentëve për të votuar, do të vazhdohet orari i caktuar.

Studentët kanë të drejtë vote për Parlamentin Studentor të Universiteti dhe  Këshillin e Studentëve në fakultetin ku studiojnë.

44 mijë e 681 studentë do të kenë mundësi votimi në zgjedhjet studentore që do të mbahen nesër.