Nesër vihet gurthemeli i Muzeut "Bllaca 99"

Gjatë ditës së nesërme do të vihet gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”.

Kështu ka bërë të ditur zyra për media e kryeministrit të Kosovës.

Sipas njoftimit, ky muze do të paraqesë eksodin e shqiptarëve dhe do të bëhet për të falënderuar të gjithë ata që ndihmuan Kosovën gjatë vitit 1999.

“Në kujtim dhe nderim të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën dhe eksodin e 99-ës, në kujtim dhe nderim të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve, në respekt dhe falënderim për të gjithë ata që ndihmuan popullin shqiptarë dhe Kosovën në vitin 1999, Zyra e Kryeministrit, më 10 prill 2019, organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, thuhet në njoftim.

Vënia e gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb do të bëhet në orën 14:00 në Bllacë të Komunës së Hanit të Elezit.

Pas fjalimeve të liderëve të Kosovës dhe të ftuarve të tjerë në këtë ceremoni dhe një programi artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, do të hapet edhe ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi.

Në orën 15:05 do të bëhet hapja e mitingut të poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare;në ora 15:15 do të bëhet mbjellja e 99 fidanëve.

Për të gjithë qytetarët e interesuar, Hekurudhat e Kosovës kanë organizuar transport të posaçëm nga Mitrovica, që niset në ora 11:00 dhe ndalet në të gjitha stacionet, deri në arritjen në Bllacë, në ora 14:00.

Me mbishkrimin “20 vjet gjenocidi serb”, lokomotiva me tre vagonë, që gjatë luftës ka bartur rreth 400 mijë shqiptarë nga Kosova për në Maqedoni, ka arritur në Bllacë, në afërsi të kufirit të Kosovës dhe Maqedonisë Veriore. Në këtë vend do të vihet gurthemeli i Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 99”.

https://kallxo.com/lokomotiva-qe-barti-400-mije-shqiptare-per-ne-maqedoni-do-te-shnderrohet-ne-muze/