Ilustrim Gjykimi i Darko Tasiqit - Foto: KALLXO.com

Nesër vazhdojnë rrëfimet e dëshmitarëve për krimet e luftës në Krushë të Vogël

Të martën dhe të mërkurën do të vazhdojë gjykimi i Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte të kryera në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Trupi gjykues i përbërë nga Artan Sejrani, kryetar, dhe Ajser Skenderi e Xheladin Osmani, anëtarë, kanë caktuar mbajtjen e shqyrtimeve të ardhshme gjyqësore.

Në këto seanca pritet të vazhdojnë rrëfimet e tyre dëshmitarët e propozuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e përfaqësuar nga prokurorja vendore Drita Hajdari, raporton KALLXO.com.

Kallxo.com ju sjellë pjesë të rrëfimeve nga deklaratat e deri tanishme, senca këto të monitoruara nga ekipi i kallxo.com.

https://kallxo.com/deshmitarja-e-masakres-ne-krushe-rrefen-si-ia-vrane-12-anetare-te-familjes/

 

Dëshmitarja Drita Batusha kishte rrëfyerr se asaj i janë vrarë 12 anëtarë të një gjaku, dhe se fshatin Krushë e Vogël ka qenë në gjendje  katastrofe.

Me 26 mars, dëshmitarja Drita Batusha kishte rrëfyerr se  “kur kemi shkuar më poshtë, dikur na ka dalë para ushtria e Arkanit. Kanë qenë të lidhur në kokë me shamia të kuqe, dhe fytyrën e kanë pasur të ngjyrosur”.

Drita Batusha kishte dëshmuar edhe ngjarjen që ajo thotë se e ka parë me datë 27 mars, dëshmitarja kishte trguar se me dylbi kishte parë ngjarjen te Lumi Drin.

“E pashë Darko Tasiqin, e kishte marrë traktorin e Kasum Hajdarit, edhe kamioni që ka qenë me kufoma nuk e kanë shty në ujë drejtë, por e kanë lënë si pjerrët, e Darko e ka shtyrë me prekolicë të traktorit, e ka shty kamionin në ujë, por vetëm kryet e kamionit ka qenë në ujë”, rrëfeu dëshmitarja.

Tutje Drita Batusha kishte deklaruar se ka parë se si Sveta Tasiq e ka hequr mbulesën e kamionit ashtu që të shihen kufomat, e shtojca e kamionit sipas saj kishte shumë kufoma.

“Edhe një kantë çka ka pasur në të naftë apo benzinë nuk e di, edhe i ka stërpikur të gjitha kufomat në kamion, edhe janë larguar nga andej, e aty kanë qenë edhe 4-5 persona tjerë të cilët nuk i kam njohur”, e njëjta kishte deklaruar edhe se të akuzuarin Darko Tasiç e kishte njohur  pasi që familjarët e saj kanë qenë afër tyre me shtëpi.

Sipas dëshmitares Drita Batusha, 4 ditë para luftës babai i Darko Tasiq, Sreçko Tasiq, kishte shkuar tek Ali Emerllahu dhe i ka kërkuar një thes me miell të cilin ia kishte dhënë i njëjti. Sipas dëshmitares Sreçko Tasiq i ishte  drejtuar Ali Emerllahut për ndihmë me fjalët: “Po dojnë me më vdekë fëmijët”.

Dëshmitari Bajram Zylfiu  i mbijetuar i masakrës së ndodhur në mars të 1999, ndër të tjera kishte rrëfyerr si më poshtë :

– Më pas, sipas rrëfimit të dëshmitarit, ka ardhur një person të cilit i janë drejtuar me nofkën “Gjoko”, ndërsa i njëjti iu është drejtuar me fjalët: “E kryej punën për dy minuta”.

Për këto fjalë dëshmitari  tha se “e kuptuam se dojnë me na ba sikurse në Reçak, me na mbytur edhe neve”.

“Pastaj personi me nofkën ‘Gjoko-Gjoko’ filloi me mitraloz duke na gjuajtur ne që ishim brenda në korridorin e shtëpisë. Njerëzit filluan të binin njëri mbi tjetrin, ndërsa personat tjerë me armë kontrollonin se a ka mbetur gjallë ndonjë, dhe pastaj e vrisnin”

“Pasi që na kishin pushkatuar, na kanë hedhur një lëng për djegie dhe i kanë vënë flakën kufomave. Unë kam në pjesën e kokës ende shenja të djegies”, tregoi dëshmitari.

Rrëfimin e plotë të sjellur nga kallxo.com, të dëshmitarit Bajram Zylfiu e gjeni më poshtë.

https://kallxo.com/deshmi-tronditese-per-masakren-e-krushes/

Ndër dëshmitarë të shumtë ishte edhe Kadri Muharremi nga Krusha e Vogël.

Kadri Muharremi më  gjatë rrëfimit të tij kishte deklaruar se ”… me datë 26 rreth orës 14:30, në lumin Drin, kam qenë larg rreth 100 metra, e kam parë se si Darko Tasiç së bashku me vëllaun Sveta Tasiç, i kanë vendosur mendoj që benzinë kamionit, pastaj e kanë ndezur ia kanë futur flakën, në kamion  ka pasur edhe njerëz të gjallë, edhe i kemi ndëgjuar britmat  e njerëzve, aty kanë gjuajtur edhe me të shtëna, kamioni ka qenë i mbuluar me ceradë e nuk i kam parë njerëzit brenda, ky kamion ka ngelur duke u kalluar rreth 1 ditë e gjysëm”.

Në një moment dëshmitari Kadri Muharremi  kishte deklaruar se  ”…. deri në atë ditë me datat 26,27 mars 1999 kurë skisha pasur zemër dikujt me i ba diçka të keqe, por po ju bëj be atë ditë po të kisha pasur mundësi dhe të kisha pasur armatim  pa i vra se kisha lanë, tu e ditë se çfarë të kqija e çfarë masakre kanë ba këta napër Krushë”

https://kallxo.com/gjykimi-per-krime-lufte-deshmitari-rrefen-si-degjoi-britmat-e-viktimave-ne-kamionin-e-djegur/

Gjithashtu si dëshmitar është paraqitur edhe Agron Limani. i cili dëshmoi se kishte mbeldhur të dhëna dhe statistika për gjendjen në Krushë të Vogël pas masakrave të marsit 1999.

https://kallxo.com/deshmitari-ne-krushe-te-vogel-u-vrane-rreth-70-burrave-dhe-djemve/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Darko Tasiq, ndërmjet datave 15 dhe 26 mars 1999, në lagjen e njohur si lagjja “Hajdari”, në Krushë të Vogël të Prizrenit, si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Jugosllavisë, në bashkëkryerje me kryes të tjerë ende të papërcaktuar mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim i paligjshëm dhe të qëllimshëm i pasurisë (djegie të shtëpive) dhe vjedhje të pasurisë.

Sipas aktakuzës e gjithë kjo nuk justifikohej me nevojat ushtarake, e që rezultoi me djegien e shtëpive, marrjen e automjeteve, makinerisë bujqësore dhe sendeve të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit si dhe anëtarëve tjerë të familjes.

Me këto veprime sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se ka kryer veprën penale të plaçkitjes, shkatërrimit të qëllimshëm dhe sulmit të rëndë ndaj dinjitetit njerëzor.