Pamje nga një mbledhje e mëhershme e Kryesisë së Kuvendit

Nesër Shqyrtohet Kërkesa e Deputetëve për Demarkacionin

Kërkesa e grupit të deputetëve, nismë e deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi, për organizimin e një debati për demarkacionin, do të shqyrtohet nesër nga Kryesia e Kuvendit.

Kryesia do të mblidhet në orën 11:00 për të bërë përgatitjet për seancën e ardhshme plenare.

Veç shqyrtimit të projektligjeve e raporteve, në rend dite është edhe kërkesa e grupit të deputetëve për organizimin e një debati profesional-shkencor mes Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionistë për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e demarkacionit Kosovë – Mali i Zi.

http://kallxo.com/bulliqi-kerkon-te-flitet-hapur-per-demarkacionin/

Po ashtu, Kryesia do të shqyrtojë edhe kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor që Qeveria e Kosovës ta hartojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme.

Në seancën e ardhshme plenare pritet të shqyrtohen edhe pesë projektligje e dy raporte.

Ndër të tjera pritet të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Unicredit Bank Austria AG” për financimin e Projektit të Modernizimit të Shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në QKUK.

Po ashtu pritet të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes përkitazi me themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, shqyrtimi i parë i Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kundërvajtje.

Pritet të shqyrtohet edhe raporti vjetor i Qeverisë për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2015, si dhe shqyrtimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.