Nesër shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve
Një sërë aktivitetesh do të organizohen nesër në Muzeun Kombëtar të Kosovës për shënimin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Tema e këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve është “Muzetë si qendra kulturore: E ardhmja e traditës”.
Duke filluar nga ora 10:00 e deri në mbrëmje gjatë ditës së nesërme, e premte, 17 maj 2019, Muzeu Kombëtar në bashkëpunim me profesorë dhe studentë të Degës së Antropologjisë dhe Etnologjisë në Universitetin e Prishtinës do të zhvillojnë punëtori të cilat kanë për qëllim angazhimin dhe edukimin e të rinjve për artin tradicional.
Artizanë të ndryshme do t’u mësojnë fëmijëve mënyrën e punimit të zejes së tyre e në të njëjtën kohë fëmijëve do t’u jepet mundësia të provojnë këto zeje me materiale të ripërdorshme.
Më 18 maj të çdo viti që nga 1977, me vendim të Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve.