Ilustrim - Gazi lotsjellës në Kuvend (Mars 2018) - Foto: Atdhe Mulla

Nesër Seanca për Masën e Sigurisë ndaj Deputetëve të VV-së

Seanca kur do të caktohet masa e sigurisë në rastin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet nesër.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të dituri Mirlinda Gashi, zyrtare për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Sot në fund të orarit të punës është pranuar kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndërsa nesër në mëngjes do të vendoset për kohën e seancës”, tha Gashi.

Deputetët Arbërie Nagavci, Drita Millaku, Fitore Pacolli, Liburn Aliu, Valon Ramadani, Salih Zyba dhe Xhelal Sveçla u arrestuan ditën e djeshme nën dyshimin se hodhën gaz lotsjellës në seancën e Kuvendit.

KALLXO.com raportoi sot më herët se Prokuroria ka kërkuar paraburgim për këta deputetë.

http://kallxo.com/prokuroria-kerkon-paraburgim-per-deputetet-e-vv-se/

Dje deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi me 80 vota pro e 11 kundër.

http://kallxo.com/ratifikohet-demarkacioni/

Katër herë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës, duke ndërprerë seancën e Kuvendit para votimit të marrëveshjes.

Shtatë deputetët u arrestuan dje, ndërsa atyre më pas iu caktua ndalimi policor prej 48 orësh.

Sot Lëvizja Vetëvendosje kërkoi lirimin e deputetëve të saj.