Pamje nga një seancë e gjykimit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt - Foto: KALLXO.com

Nesër nis rigjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Festat e fundvitit 2015 kishin qenë të tmerrshme për familjen Pajazitaj nga Strellci i Deçanit.

Vajza e tyre Donjeta ishte nisur nga shtëpia për në punë dhe për gjashtë javë familja e saj nuk kishte asnjë informacion për të, derisa një ditë ishte gjetur e vrarë në bjeshkët e Strellcit të Deçanit.

Për vrasjen e Donjetës Prokuroria drejtoi gishtin akuzues drejt kushëririt, Naser Pajazitaj.

Sipas Prokurorisë, derisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, Naser Pajazitaj kishte ndaluar me makinë dhe e kishte marrë me vete dhe pasi kishin arritur te “Kroni i Lajthisë”, me dy të shtëna në kokë e kishte privuar nga jeta viktimën, dhe me qëllim që të humbte gjurmët e kishte mbuluar me disa dru, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

Për këto akuza, pas dy vitesh gjykim, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn.

https://kallxo.com/gjykata-merr-vendimin-per-rastin-e-vrasjes-se-donjeta-pajazitajt/

Me vendimin e Gjykatës në Pejë nuk është pajtuar Gjykata e Apelit, e cila pas vlerësimit të ankesës së Prokurorisë, ka vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës e ka vlerësuar gabimisht të vërteten.

“Gjykata e Pejës nuk ka arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike sepse ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, vajzës së të akuzuarit e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat”, thuhet në vendimin e Apelit.

Më qëllim që të eliminohen këto të meta Apeli kërkon që lënda të gjykohet edhe një herë.

KALLXO.com ekskluzivisht ka raportuar për arsyet e kthimit në rastit në rigjykim.

https://kallxo.com/ekskluzive-arsyet-pse-apeli-e-ktheu-ne-rivendosje-rastin-e-vrasjes-se-donjeta-pajazitajt/

Naser Pajazitaj pritet që nesër edhe një herë të dalë para Gjykatës Themelore në Pejë, për t’u përballur me akuzat për vrasjen e kushërirës së tij.

Për këtë vrasje ai ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.

https://kallxo.com/rrefimi-naser-pajazitajt-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitajt/

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

https://kallxo.com/vellai-donjeta-pajazitajt-grushton-te-akuzuarin-pas-seances/

www.kallxo.com