Prizreni

Nesër nis rigjykimi i të akuzuarve për fajde dhe detyrim

Në Gjykatën e Prizrenit për nesër është e caktuar seanca e fillimit të rigjykimit në rastin e të akuzuarve Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

Katër muaj pasi Gjykata Themelore e Prizrenit i kishte shpallur fajtorë 10 të akuzuarit të rastit të njohur për fajde, Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim.

Gjykata e Prizrenit kishte shpallur aktgjykimin ndaj grupit të të dyshuarve për fajde e detyrim në Prizren.

I akuzuari kryesor në këtë rast, Tunë Kqira ishte  dënuar me 2 vjet e 3 muaj burg; Kastriot Kqira me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj janë liruar nga akuzat, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/gjykata-denon-10-persona-per-fajde-e-detyrim-ne-grupin-e-kqirajve/

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Kallxo.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.