Dezinsektimi - Foto: Facebook/SHpendAhmeti

Nesër nis faza e dytë e dezinsektimit në Prishtinë, ky është orari sipas lagjeve

Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se nesër fillon faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në territorin e komunës së Prishtinës.

Sipas Ahmetit, e mërkura, 20 qershor, është zgjedhur pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje. Sipas tij, reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin.

“Duke u bazuar në këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6.000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve. Edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Shpend Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 23:30 (24:00), sipas datave të mëposhtme nëpër lagjet e caktuara:

20.06: Aktash, Lagjja e Muhaxherëve, Parku i Qytetit, Vellushë (Blloqet-Shtëpia e Pleqve), Qendra e Qytetit, Qyteza Pejton, Arbëria, Tophane;

21.06: Lakrishte, Dardania, Ulpiana, Prishtina e Re (Veternik), Zona Industriale, Lagjja Nic dhe Kazerma Adem Jashari;

22.06: Bregu i Diellit, Lagjja e Spitalit, Kalabria dhe Kodra e Trimave;

23.06: Taslixhe, Velani, Mat, Sofali, Taukbahqe, Gërmi dhe Vneshtat;

24.06: Bernice e Eperme dhe Bernice e Poshtme, Barileve, Besi, Bardhosh, Kolovice dhe Kolovice e Re, Prugovc, Teneshdoll dhe Vranidoll, Hajvali.

Komuna e Prishtinës lut qytetarët për bashkëpunim për suksesin e këtij procesi.

“Gjatë kohës së dezinsektimit, për së paku një orë duhet të kufizohet dalja në hapësirat që dezinsektohen. Gjithashtu, dritaret e shtëpive dhe banesave duhet të mbahen të mbyllura, ashtu që të mos futen insektet brenda. Apelohet tek shoqatat e bletarëve, për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe”, thuhet në njoftimin e kryetarit Ahmeti.