Konferenca e Lëvozjes Vetëvendosje për statutin e Trepçës

Nesër në Kuvendin e Kosovës tryezë diskutimi për Trepçën nga Vetëvendosje

Nesër në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar tryezë për të biseduar për statutin e Trepçës, ku janë ftuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kryetarja e Komisionit Sala Berisha-Shala,  Sindikata e Punëtorëve të Trepçës dhe ekspertë të ndryshëm.

Gjatë konferencës ku kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e lajmëroi këtë tryezë, tha se për ta Trepça ka tri gjëra kryesore: Kapacitet industrial i Kosovës, pasuri minerale dhe organizatë e punëtorëve.

Kurti tregoi se dje kanë pasur takim me Sindikatën e Punëtorëve të Trepçës dhe kanë dëgjuar brengat e tyre në lidhje me statutin e Trepçës.

“Kryetari i sindikatës dhe punëtorët e saj ndiheshin të mashtruar nga kryeministri për statutin e Trepçës, sepse një mori e aseteve të Trepçës nuk janë përfshirë në statutin e ri dhe as brengat e punëtorëve në lidhje me të drejtat e tyre”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se statuti i ri i Trepçës nuk është përpiluar nga Bordi i Trepçës siç do të duhej, por ka ardhur aty i servuar nga qeveria.

“Kryetarit të Sindikatës i është premtuar që në Kuvendin e Kosovës do të vijnë dy statute të Trepçës për miratim dhe do të bëhet debat, por, në fakt kjo nuk ka ndodhur meqë qeveria po e dërgon në Kuvend vetëm statutin e miratuar prej saj ku nuk përfshihen vërejtjet e punëtorëve”, tha Kurti.

Ai ka treguar se në statutin e ri janë përfshirë vetëm tri miniera me flotacionet e tyre dhe eventualisht pas një studimi të fizibilitetit do të jenë të përfshira edhe metalurgjia e plumbit, e zinkut dhe industria kimike që nuk është e sigurt a do të përfshihen në Ndërmarrjen e re Publike të Trepçës.

Ne gjithmonë kemi thënë që Trepça duhet të jetë Ndërmarrje Publike e rëndësisë së veçantë dhe të lidhet me shumicën e Kuvendit, apo me dy të tretat.

Albin Kurti ka thënë se një qeveri që nuk jep asnjë cent në Trepçë nuk mund të presësh se do të hartojë një statut të mirë.

“Nuk ka përkushtim të qeverisë drejt zhvillimit të Trepçës. Është thënë në Kosovë, që një vend pune në nëntokë i krijon 4 vende të punës mbi tokë. Investimet kapitale të qeverisë aktuale në Trepçë janë 0 euro”, ka theksuar Kurti.

Ai më tej ka shtuar se synimi i Serbisë për ndarjen e Mitrovicës lidhet kryekëput me Trepçën.

Nazmi Mikullovci, i cili ka qenë 14 vjet drejtor i Trepçës e tash është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Trepça nuk është vetëm miniera, si ky statut e përkufizon.

Poashtu gjatë konferencës ai tha se e befason mungesa e strategjisë dhe vizionit të zhvillimit të Kosovës.

“Trepça si është definuar me këtë status ajo e humb zhvillimin, e ndërpret një koncept të zhvillimit të mundshëm, mbetet në bujqësi, në pjesën rurale dhe në xehetari”, ka thënë Mikullovci.

Ai ka përmendur edhe funksionimin e Bordit të Trepçës pa tre anëtarët serb duke përmendur edhe ndarjen e Trepçës.

“Tre është dashtë me qenë serbë nga veriu, ata nuk kanë pranuar, por kjo ka kaluar në qetësi, bordi po funksionin, kësaj po i vjen era për ndarjen e Trepçës. Trepça prej Ibrit e lart, dhe Trepça prej Ibrit e poshtë”, ka thënë Mikullovci.

Mikullovci ka thënë se në Trepçë është një numër i madh i punëtorëve me një numër të madh të statuseve dhe se aty nuk definohet se kush janë ata punëtorë që do të bëhen pronarë të 20 për qindëshit.

“Kjo mos qartësi po më duket që është e qëllimshme, Trepça po bëhet gati me u privatizu, pjesa e jugut. Ky është fundi i një Trepçe për të cilin kemi folur e kemi ëndërruar”, ka përfunduar Mikullovci.