Ilustrim

Nëse Kosova nuk bëhet pjesë e ICAO, hapësira ajrore sërish do të kontrollohet nga një shtet tjetër

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, ka thënë se nëse Kosova nuk do të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), hapësira ajrore e Kosovës përsëri do të kontrollohet nga një shtet tjetër.

Ai ka thënë se çështja e hapësirës së lartë ajrore në Kosovë lidhet ekskluzivisht me NATO-n.

“Nëse në ndërkohë Kosova nuk do të jetë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, Këshilli i NATO-s do ta delegojë përsëri kontrollin te një shtet tjetër”, ka thënë Gjonbalaj në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Gionbalaj ka thënë para Komisionit se NATO ka pasur një kufizim në listën e shteteve që mund të kontrollojnë hapësirën ajrore të Kosovës.

Ky shtet nuk është dashur të jetë shtet fqinj i parë i Kosovës, të jetë anëtar i NATO-s dhe të jetë shtet mik i Kosovës.

Që nga 3 prilli i vitit 2014 hapësira ajrore e Kosovës është duke u kontrolluar nga Hungaria, konkretisht nga kompani hungareze e navigimit ajror – “Hungaro-Kontrolli”.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 hapësira e lartë ajrore e Kosovës ka qenë e mbyllur për mbi kalime dhe nën autoritetin e NATO-s.