Seanca në rastin 'Syri i Popullit' FOTO: KALLXO.com

Nervozohet Sylë Hoxha, i thotë të akuzuarit mbylle gojën

Tensione verbale janë shkaktuar sot gjatë seancës në rastin e njohur si ‘Syri i Popullit’.

Prokurori Special, Sylë Hoxha është përplasur me të akuzuarin në këtë rast, Sadri Ramabaja.

Kjo pasi i akuzuari Sadri Ramabaja e kritikoi prokurorin për mënyrën e marrjes në pyetje.

“Pyetjet duhen të jenë konform profesionit të tij dhe se kjo fiskulturë nuk i ka hije një prokurori profesionist”.

Ai më vonë e quajti këtë prokuror ‘të dështuar’.

Ndaj kësaj Prokurori reagoi duke i thënë “të mbyllesh gojën me kësi konstatime të panevojshme”.

Ai tha se “nuk është hera e parë që merresh me kontrabandime të fjalëve”.

Rambaja kishte deklaruar edhe ne seancën e kaluar se “prokurorit i është dashur një show medial për të me mbajtur sa më gjatë në burg”.

Sadri Rambaja së bashku me Murat Jasharin, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha akuzohen për përgatitje të veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë me 28 shkurt.

Pjesë e aktakuzës janë disa vepra penale, si hakmarrja, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kunder rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve dhe hakmarrje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionaret e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhëtarë të vendit, e po ashtu funksionaret nga viti 1999 deri në vitin 2016.