Nënshkrimi i marrëveshjes për termocentralin "Kosova e Re" - Foto: KALLXO.com

Nënshkruhen Marrëveshjet për Termocentralin e Ri

Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane “Counter Global” kanë nënshkruar marrëveshjet komerciale për termocentralin “Kosova e Re”.

I pranishëm në këtë ceremoni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur ditë të veçantë dhe historike për vendin nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Pas 16 vite po arrijmë një rezultat kulminant, të nënshkrimit të marrëveshjes. Marrëveshja zgjidh një problem qenësor për Kosovën. Kjo kontratë paraqet investimin më të madh të huaj në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.

Sipas shefit të shtetit, ky investim vetëm gjatë fazës së implementimit do të krijojë 10 mijë vende të punës.

Ndërsa, edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, e quajti ditë të veçantë për qytetarët e Kosovës nënshkrimin e marrëveshjes.

“Pas shpalljes së Pavarësisë është pavarësim tjetër ekonomik. Do te ngjallen debate po e mira është që po ecim përpara. Pozitive është që Kosova është drejt integrimit euroatlantik”, theksoi Veseli.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj ishte i shkurtë në deklarimin e tij. Ai tha se mbështet fjalën presidentit dhe të kryeparlamentarit. “Të vazhdojmë me punë”, shtoi ai.

Ndërsa, ambasadori amerikan Greg Delawie potencoi se ky sukses i Kosovës është meritë e shumë njerëzve.

Ai nënvizoi faktin se me termocentralin “Kosova e Re” ndotja do të jetë shumë më e vogël se nga TC “Kosova A”, të cilin do ta zëvendësojë termocentrali i ri.

“Zëvendësimi i ‘Kosovës A’ është për një siguri ekonomike. Ndotja do të jetë shumë më e vogël se nga ‘Kosova A’. Ky është një fillim i mrekullueshëm por ende ka shumë punë që ky nënshkrim të bëhet realitet”, tha Delawie.

Ndërsa, Joseph Brandt, drejtor ekzekutiv i “Counter Global” tha se deri te nënshkrimi i marrëveshjes është shpenzuar kohë e gjatë.

Ai e falënderoi kryeministrin, të cilin e quajti “njeri të fjalës”.

“Kam punuar me shumë ministra të Zhvillimit Ekonomik por ministri Lluka e ka pasur punën më të vështirë, për të thënë: po. Duhet të jemi krenarë se ai zyrtarët qeveritarë dhe ministrat kanë punuar për këtë projekt. Në mënyrë që të ecet përpara në kuptimin e pavarësimit energjetik duhet të keni një burim të ripërtëritshëm”, tha Joseph Brandt.

Me nënshkrimin e marrëveshjeve komerciale, nuk përfundon projekti, por vetëm kalohet në një fazë të re.

Për fazën e dytë të tenderit pritet të shpallet një proces ndërkombëtar i konkurrimit për kontraktimin e EPC (Inxhiniering, Prokurim dhe Ndërtim).

Gjatë këtij viti pritet të sigurohet financimi nga kreditorët për projektin.

Pjesa më kritike është garancioni që duhet të lëshojë Banka Botërore. Gjatë këtij vitit duhet të bëhet edhe përmbyllja financiare. Edhe Kosova duhet të lëshojë një garancion për marrjen e kredisë nga investitori.

Ky garancion llogaritet si borxh i shtetit të Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare janë të nevojshme votat e 2/3 të deputetëve.

 KALLXO.com e transmetoi LIVE nënshkrimin e marrëveshjes.

Rruga e Errët e Termocentralit ‘Modern’