Nënshkruhet marrëveshja për shërbime këshilluese të ristrukturimit të Telekomit të Kosovës

Me iniciativën e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, sot është nënshkruar marrëveshja në mes Bankës Evropiane për Ristrukturikm dhe Zhvillim (BERZH) dhe Telekomit të Kosovës.

Marrëveshja ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve konsultative përmes këshilltarëve të cilët do të zgjidhen me qëllim të dhënies së këshillave në ristrukturimin e Telekomit të Kosovës, e cila mund të krijojë rrugën për një privatizim e saj.

“Duke u gjetur në situatë të vështirë në aspektin operativ, Bordit i Drejtorëve në muajin Maj të vitit të kaluar ka nxjerrë vendim për hapjen e fazës së ristrukturimit të kompanisë së bashku me implementimin e një plani për investime”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

“Në bashkëpunim me Bordin e Drejtorëve, si Ministër përgjegjës për Ndërmarrjet Publike, kam kërkuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që të ofroj asistencë teknike (në formë të grantit) për këshilltarë të cilët këshillojnë ministrinë rreth ristrukturimit dhe ripozicionimit të kësaj ndërmarrje. Në kërkesë, kam potencuar faktin se Qeveria e Kosovës, në bazë të planit të saj qeverisës, parasheh privatizimin e kësaj ndërmarrje. Gjithashtu, kam bërë të qartë se para gjithsecilit vendim të privatizimit, përmirësimi i performancës së ndërmarrjes si dhe praktikave brenda saj është prioritare dhe do i paraprije çfarëdo procesi tjetër”, është shprehur Ministri Lluka pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes BERZH dhe Telekom.

Ministri Lluka me tej ka falënderuar BERZH që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së Kosovës për pranimin e dhënies së asistencës në aspektin e prokurimit të ofrimit të këshilltarëve për të dhënë asistencë teknike në fazën e ristrukturimit si dhe ofrimin e këshilltarëve të jashtëm të cilët ofrojnë ekspertizën e tyre në hartimin e një udhërrëfyesi rreth privatizimit e cila do ti vendos hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës në mënyrë që të privatizojë Telekomin e Kosovës.