Pamje nga takimi i sotëm i Brukselit - Foto: ZKM

Nënshkruhet Marrëveshja për Reciprocitet në Tabela

Sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas njëmbëdhjetë orë bisedime është përmbyllur marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e automjeteve në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, njofton zyra e kryeministrit Isa Mustafa.

Sipas ministres Edita Tahiri, njëherit kryenegociatore në dialogun e Brukselit, marrëveshja parasheh se çfarë vlenë për tabelat e njërit shtet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër.

Po ashtu, sipas komunikatës, e cila citon ministren Tahiri, kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova”, të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës.

Ministrja për Dialog ka deklaruar se kjo marrëveshje ishte arritur javën e kaluar dhe sot është rikonfirmuar edhe në dokumentin e shkruar të marrëveshjes.

“Ajo vlerësoi se parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje dëshmon se marrëdheniet fqinjësore në mes të dyja shteteve mund dhe duhet të përparojnë në frymën e reciprocitetit dhe gadishmërisë për normalizim sipas parimeve euro-atlantike”, thekson komunikata e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, me këtë marrëveshje i jepet fund tabelave ilegale të automjeteve të cilat aty-këtu kanë qarkulluar në pjesën veriore të vendit tonë dhe ky proces do të realizohet në afatin e paraparë me këtë marrëveshje.

“Ministrja Edita Tahiri vlerësoi se heqja e tabelave ilegale nga qarkullimi është në funskion të sundimit të ligjit në këtë fushë si dhe i kontrbuon integrimit të plotë të qytetarëve të komunitetit serb në sistemin shtetror të Kosovës. Kjo marrëveshje finalizon zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që është arritur në vitin 2011 në Bruksel”, thuhet më tej në komunikatë.

Marrëveshja konfirmon nisjen e punës së zyrave të gjendjes civile dhe të Agjencisë për Regjistrim Civil në katër komunat veriore që do të realizohet në nëntor 2016. Këto zyra do të pajisin qytetarët e asaj pjese me dokumentet shtetërore dhe të gjendjes civile të Republikës së Kosovës, duke mundësuar që të konsolidohet ky aspekt i sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës në veri të vendit të munguar që nga fundi i luftës.

Në komunikatë thuhet po ashtu se ministrja Tahiri theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje dhe zbatimi i saj janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe me këtë rast ajo falenderoi Bashkimin Evropian për angazhimet për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshje.