Ilustrim

Nënat gjakovare sot bëjnë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale

Nënat gjakovare, pjesë e shoqatës “Thirrjet e Nënave” sot në orën 10:00 do të dorëzojnë kërkesën për kallëzim penal ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte, në Departamentin për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Poashtu, ato do të dorëzojnë edhe librin me titull “E vërteta për krimet serbe”, që sipas tyre është një monografi me 1000 faqe dëshmi kundër kriminelëve serbë, të cilët rrëmbyen, vranë dhe zhdukën shqiptarë civilë në Gjakovë, gjatë periudhës 24 mars 1999 deri 12 qershor 1999.

“Ky libër përmban 151 rrëfime të familjarëve të goditur, të cilët dëshmojnë për më të dashurit e tyre, të rrëmbyer, të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.