Nëna kosovare rrëfen si ia rrëmbyen vajzën gjatë luftës

Nëna e një vajze që u mor kur forcat serbe sulmuan fshatin Zahaq në Kosovë në maj të vitit 1999, tha në gjyqin për krime lufte të 12 ushtarëve serbë se vajzën e saj nuk e panë më kurrë.

Hajrije dhe Faton Demaku, dy civilë shqiptarë etnikë nga fshati Zahaq në Kosovë, i treguan Gjykatës së Lartë të Beogradit të enjten se si Esma Demaku ishte marrë nga dy burra pasi pjesëtarët e forcave serbe i detyruan ata të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë një sulmi në maj 1999.

Hajrije Demaku rikujtoi se më 14 maj 1999, forcat serbe hynë në fshat të veshur me uniforma dhe fytyra të kamufluara, i dëbuan ata nga shtëpia dhe i detyruan të shkonin në varrezën serbe.

Sipas aktakuzës, atje ishin 200 njerëz të tjerë nga Zahaqi dhe luftëtarët i urdhëruan ata që t’u jepnin paratë, stolitë dhe dokumentet e tyre, pastaj të hipnin në automjetet ose traktorët e tyre dhe të niseshin në drejtim të Pejës.

“Në fshatin Qyshkë ata morën time bijë. I thanë të zbriste nga traktori. Mendova se do t’i kërkonin ndonjë gjë, por ata e futën atë në makinë dhe u larguan. Nuk e di ç‘ndodhi me të,” tha Hajrije Demaku.

Vëllai i Esma Demakut, Fatoni, i cili ishte 11 vjeç në atë kohë, tha se traktori ku ata kishin hipur u ndalua nga një makinë VË Golf, nga e cila dolën dy burra. Njëri prej tyre e thirri motrën e tij në emër dhe më pas e mori.

“Ai i tha motrës sime të zbriste nga traktori, e hipi në një makinë dhe neve na tha të iknim,” tha Faton Demaku. Ai nuk pa nëse burri kishte apo jo një listë me emrin e motrës së tij në të.

Sipas aktakuzës, forcat serbe hynë në Zahaq dhe fshatrat fqinje Qyshkut, Pavlanit dhe Ljubeniqit më 14 maj 1999, duke vrarë të paktën 118 shqiptarë etnikë.

Dymbëdhjetë ish-anëtarë të Njësisë së 177-të të Ushtrisë Jugosllave janë në gjyq për krime lufte në fshatra.

Grupi fillimisht u dënua në vitin 2014 me një total prej 106 vjetësh burg, por gjykata serbe e apelit e rrëzoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.

BIRN i investigoi vrasjet në filmin e tij dokumentar  “Të Paidentifkuarit” i cili zbuloi shkallën e krimeve të kryera në katër fshatrat e Kosovës në vitin 1999, duke zbuluar gjithashtu strukturën komanduese të njësive të policisë dhe ushtrisë të përfshira në krime.