Zgjedhjet në veri - Foto: KALLXO.com

Në Zubin Potok qytetarët votojnë me letërnjoftime të Serbisë

Në zgjedhjet për kryetarët e 4 komunave e veriut të Kosovës, qytetarët e asaj pjese po votojnë edhe me letërnjoftime të Serbisë.

Sipas kryesuesit të vendvotimit 2802/B në shkollën “Jovan Cvijiq” në Zubin Potok, deri në orën 10:00 është lejuar të votohet edhe me letërnjoftime të Republikës së Serbisë, “sikurse në zgjedhjet e kaluara”.

I njëjti ka thënë për KALLXO.com se pas orës 10:00 kanë marrë urdhër nga KQZ që pjesën tjetër të ditës votuesit kanë të drejtë të votojnë vetëm me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.

Sipas kryesuesit, letërnjoftimet e Serbisë që e posedonin votuesit kishin numër personal sikurse në listën e votuesve që i kanë marrë nga KQZ prandaj edhe janë lejuar të votojnë.

I njëjti ka treguar se në zgjedhjet e kaluara votuesit janë lejuar të votojnë gjatë gjithë ditës me letërnjoftime të Serbisë.

Në katër komuna në veri të Kosovë janë duke u mbajtur zgjedhjet për kryetarë të tyre.

Zgjedhjet po mbahen pas dorëheqjes së katër kryetarëve si reagim ndaj vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.