Në vitin 2018, 22 milionë euro u shpenzuan për trotuare e kanalizime

Në 2018-ën, në Kosovë u shpenzuan 21.9 milionë euro për investime në trotuare, kanalizime dhe ujësjellës, apo  4 për qind nga shpenzimet e përgjithshme kapitale për vitin që shkoi.

Për tri vjet për këtë qëllim u shpenzuan rreth 52.9 milionë. Por problemet vazhdojnë të jenë evidente.

Investimet në këto kategori, prej më shumë se 21.9 milionë eurove paraqet një rritje prej 25 për qind apo 4.4 milionë euro më shumë në krahasim me vitin 2017, kur u shpenzuan 17 milionë e 525 mijë euro.

61 për qind e këtyre investimeve u paguan për ndërtimin e kanalizimeve apo 13 milionë e 317 mijë euro, 20 për qind apo 4 milionë e 383 mijë euro në trotuare dhe 19 për qind apo 4 milionë 271 mijë euro për ujësjellës.

Në raport me shpenzimet e përgjithshme kapitale të realizuara për vitin 2018 në vlerën e 533 milionë e 64 mijë euro, këto investime marrin pjesë me 4.1 për qind.

Në ndërtimin e kanalizimeve investimet u rritën për 1 milion e 325 mijë euro, në kanalizime shpenzimet u rritën për 4 milionë e 618 mijë euro. Në anën tjetër për dallim nga investimet në ujësjellës në vitin 2017 sa ishin 5 milionë e 768 mijë euro në 4 milionë e 271 mijë euro, që paraqet një rënie prej 1 milion e 497 mijë euro më pak apo -26 për qind.

Nëse i marrim të dhënat për tri vitet e fundit del se në trotuare, kanalizime dhe ujësjellës u shpenzuan 52 milionë e 915 mijë euro.

Për tri vjet u investuan 10 milionë e 233 mijë euro në ndërtimin e trotuarëve, në kanalizime u investuan 29 milionë e 721 mijë euro, dhe në ujësjellës 12 milionë e 961 mijë euro.

Vazhdon “rrjedhja” e problemeve me kanalizim e ujë

Dikur të njohur për pastërtinë, bukurinë dhe atraksionin në peshkim, lumenjtë e Kosovës sot janë shndërruar në ricikluesin më të madh të kanalizimeve.

Një hulumtim i Gazeta Jeta në Kosovë tregon se lumenjtë më të mëdhenj të vendit janë duke u ndotur nga ujërat e zeza të qyteteve si Prishtina, Fushë Kosova, Prizreni, Malisheva etj.

Problemet me kanalizime dhe ujë vazhdojnë të jenë evidente. Banorët e një lagjeje të fshatit Lladrovc tash e tetë muaj po ankohen në komunën e Malishevës se kanë probleme me kanalizimin në rrugën “Dushku” në këtë fshat.

Mos qasje në kanalizim kanë edhe banorë të fshatit Senik të njëjtës komunës. Pesë shtëpi në këtë fshat kanë mbetur të ndarë nga rrjeti i kanalizimit i cili tash e disa muaj po paraqet problem për ta.

Gjithashtu Lagjja Smakaj në fshatin Nishor të Suharekës që nga paslufta po përballet me kundërmimin e ujërave të zeza si rezultat i mungesës së kanalizimit.

Banorët e lagjes thonë se mbetën pa u kyçur në rrjetin e kanalizimit të fshatit pasi ai u ndërtua mbi shtëpitë e tyre.

Edhe në qytetin e Vushtrrisë, një qytetar i ka mbyllur dje dyert e oborrit të Komunës së Vushtrri në shenjë pakënaqësie me shërbimin e Komunës.

Besim Muzaqi, nënkryetar i Komunës së Vushtrrisë tha për KALLXO.com se qytetari i cili ka mbyllur derën ka problem me kanalizimin nga e kaluara.

Me problem nga kanalizimi i ujërave atmosferike po ballafaqohen banorët e fshatit Kuqicë e Skenderajt .

Jo vetëm mungesa e qasjes në kanalizim, dëmet nga rrjedhja e kanalizimit, por edhe ndërtimi i tyre ka shkaktuar probleme tjera. Rruga në fshatin Loxhë të Pejës e cila ishte asfaltuar në vitin 2015, ka katër vite që është dëmtuar pas kyçjes në kanalizim dhe nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme.

Probleme me kanalizim kanë edhe qytetarët e kryeqyteti.

Prishtinë qytetarët që po e frekuentojnë udhëkryqin te hoteli “Grand Hotel” po përballen me vështirësi sa për ta kaluar rrugën nga ujërat e zeza aq edhe për shkak të kundërmimit. Kjo si pasojë e shpërthimit të kanalizimit te një pusetë në mes të rrugës.

Gjithashtu edhe banorët e rrugës ‘Rexhep Krasniqi’ në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë përballen çdo ditë me erën e pakëndshme që kundërmon nga ujërat e zeza. Ujërat e zeza derdhen në lumin Mat, i cili kalon nën urën e kësaj rruge që  është bërë e pakalueshme nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë në muajt e kaluar.