Qoshqet në Viti - Foto: Komuna e Vitisë

Në Viti përurohen qoshqe për shitjen e produkteve të shoqatave të grave

Komuna e Vitisë, ADA dhe UNDP kanë përuruar 13 qoshqeve në qendër të Vitisë.

Ato do t’u shërbejnë si pika shitëse shoqatave të grave dhe prodhuesve të vegjël të kësaj komune, duke mbuluar kështu objektivat ekonomikë dhe socialë.

Të pranishëm në këtë përurim ishin Sokol Haliti, kryetari i Komunës së Vitisë, Ulrika Richardson, koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe përfaqësuese e përhershme e UNDP-së dhe Gunther Zimmer, shef i ADA-së për Kosovë, përfaqësues të shoqatave të grave, zyrtarë komunalë, përfaqësues të ADA-s dhe UNDP-së si dhe qytetarë të Vitisë.

“Shumica e grupeve të lartpërmendura që merren me grumbullimin, përpunimin dhe prodhimin e produkteve gastronomike dhe atyre artizanale i shesin këto prodhime në mënyrë sporadike nga një panair në tjetrin, që nuk sjell likuiditet dhe burime të qëndrueshme të të ardhurave nga puna e tyre. Duke marrë parasysh nivelet e papunësisë, barrierat në tregun e punës dhe atë të biznesit, veçanërisht në mesin e grave, projekti krijon mundësi që prodhuesit vendas të promovojnë prodhimet e tyre, të kenë hapësirë për shitje gjatë gjithë vitit dhe të fitojnë më shumë të ardhura”, thuhet në njoftimin e UNDP-së.

Kjo ngjarje u mbajt në kuadër të “Ditëve të Diasporës”, ku prodhuesit vendorë patën rastin të shfaqin prodhimet e tyre, duke u dhënë vizitorëve një mundësi për të parë dhe blerë gjëra të ndryshme bujqësore dhe artizanale.

“Që nga viti 2014, projekti INTERDEV, ka mbështetur banorët e komunave të Dragashit, Shtërpcës si dhe të Vitisë gjatë fazës së dytë, për të zhvilluar aftësi të reja, gjetur punë, rritur prodhimin bujqësor, dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura për komunitetet lokale. Projekti në mënyrë aktive promovon fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave në rrezik për t’u lënë mënjanë, me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale”, njofton UNDP.